Protestë kundër gërmimeve

16/02/2013 00:00

Disa dhjetëra të rinj nga Tepelena, Toçi, Hormova dhe rrethina të tjera të qytetit jugor kanë protestuar kundër zyrtarizimit të gërmimeve në Hormovë për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë.

Përmes një deklarate për mediat, Orgen Hasanbegaj, i njohur si organizator i protestave me karakter kombëtar, tha se nuk do të lejohen gërmimet në këtë zonë dhe as shitja e eshtrave të shqiptarëve për ushtarë grekë, ashtu siç ndodhi në Kosinë.

“Është turp për ata që i lejojnë këto gjëra, por edhe për ne nëse do t’i lejojmë. I bëjmë thirrje spektrit politik që të ndalë këtë praktikë anti-shqiptare dhe të mos bëhet patriot vetëm për fushatë elektorale. Ne nuk do lejojmë shitjen e eshtrave shqiptare për ushtarë grekë, do ta pengojmë me çdo mënyrë”, deklaroi Hasanbegaj.

Protestuesit kanë paralajmëruar rritjen e radhëve të tyre me të tjerë të rinj që do të pengojnë sipas tyre fillimin e gërmimeve në Hormovë.

Zona e Hormovës, një fushë beteje e Luftës së Dytë Botërore mes ushtrisë italiane dhe greke, është përcaktuar prej marrëveshjes ndërshtetërore si territor gërmimesh për gjetjen e eshtrave të grekëve të vrarë.

Më herët ishte komuna Pojan në rrethin e Korçës që refuzoi kërkesën e Ministrisë së Brendshme për vënien në zbatim të marrëveshjes dy shtetërore Shqipëri-Greqi për kërkimin, identifikimin dhe zhvarrimin e ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore.

Top Channel