Interi rigjen fitoren

10/02/2013 00:00

Interi rikthehet tek fitorja dhe në këtë javë të kampionatit italian ka mundur 3-1 Kievon në San Siro.

Kasano që në minutën e dytë dhe më pas Ranokia në minutën e 26-të i sigurojnë skuadrës së Stramaçonit fitoren, ndërkohë që Rigoni kishte barazuar për pak minuta rezultatin brenda 45 minutave.

Me fillimin e së dytës vulos gjithçka Milito me golin e tretë të ndeshjes.

Milan nuk ka mundur të shkojë përtej barazimit 1-1 në transfertën e
Cagliari-t, teksa është gjendur në disavantazh në minutën e fundit të
pjesës së parë, falë golit të Ibarbo-s.

Ky ishte goli i 12-të i pësuar me kokë nga Milan gjatë këtij sezoni. Edhe pse kuqezinjtë janë afruar shumë me zonën Champions gjatë javëve të fundit, ata nuk kanë mundur të përfitojnë nga barazimi mes Lazio-s dhe Napoli-t, 1-1, ditën e shtunë, duke mbetur në vendin e 4-t, me 3 pikë më pak se lacialët.

Të besuarit e Allegri-t, i cili kishte hedhur në fushë “tridhëmbëshin” El Shaarawy-Balotelli-Niang, por nuk kanë mundur të shkëlqejnë. Gjithsesi, në fund të takimit, ka qenë Mario Balotelli, ai që ka fituar një 11-metërsh, pas ndërhyrjes në zonë të Astori-t, të cilin e ka ekzekutuar po vet dhe 1-1.

Fillon me humbje edhe aventura e Adreazzoli-t në krye të pankinës së Romës. Në “Marassi” feston Sampdoria, pas triumfit 3-1 ndaj kryeqytetasve. Në pjesën e parë, verdhekuqtë kanë qenë më mirë.

Në të dytën, vetëm pas 5 minutash lojë Roma kalon në avantazh me Lamela-n, por goli anulohet për pozicion jashtë loje, që dukej se nuk ishte i tillë.

Në të 55-tën, Sampdoria shënon dhe 1-0 me anë të Estigarribia-s, pas asistit të Sansone-s. Gastaldello rrëzon më pas Osvaldon në zonën e rreptësisë, por italo-argjentinasi nuk arrin të shënojë nga pika e bardhë.

Sansone dyfishon më pas për Samp-in. Shkurton përkohësisht Lamela, por vulos gjithçka Icardi dhe Roma del sërish me humbje, edhe pse ndryshoi fytyrë në drejtimin e skuadrës.

Në ndeshjet e tjera, Udinese fiton 1-0 me Torino-n, barazime pa gola në Parma-Genoa dhe Atalanta-Catania, ndërsa barazime 1-1 janë regjistruar në sfidat Bologna-Siena, Palermo-Pescara.

Dje, Juve mposhti 2-0 Fiorentinën, ndërsa Lazio-Napoli u mbyll me shifra të barabarta, 1-1.

Top Channel