AK: Berisha privatizoi Shqipërinë në emër të tij

31/01/2013 00:00

Aleanca Kuq e Zi, ka denoncuar sërish premtimet e pambajtura nga
kryeministri Sali Berisha. Kuqezinjtë kanë shkuar sot në banesën ku
Berisha ka jetuar deri në vitin 1992 dhe kanë vendosur në mënyrë
simbolike një pllakat për t’u rifreskuar shqiptarëve kujtesën.

“Jemi sot këtu për të rifreskuar kujtesën e mbarë kombit shqiptar mbi premtimet e pambajtura të shtetasit Sali Berisha, i cili drejton vendin jo me votat e shqiptarëve. 21 vjet më parë shtetasi Sali Berisha kur merrte detyrën e Presidentit të Republikës i premtoi shqiptarëve dy gjëra: E para ai premtoi se do të jetonte si qytetarë i thjeshtë, se do të ishte i barabartë me të gjithë, që do të jetonte në këtë lagje, njësoj si komshinjtë e tij. Sot të gjithë e dinë se si jeton shtetasi Sali Berisha, se sa i pasur është ai. Sot të gjithë e dinë që Sali Berisha ka privatizuar gjysmën e Shqipërisë, duke gllabëruar pronën publike dhe shpërndarë atë për interesat e tij personale. Sali Berisha nuk e fsheh dot më pasurinë e tij dhe ka shkelur premtimin e tij të parë me të gjitha format dhe metodat.E dyta, Sali Berisha premtoi se do ta integronte Shqipërinë në Bashkimin Europian. 21 vjet me parë ai u zotua për këtë dhe sot të gjithë shqiptarët janë të ndërgjegjshëm se vetëm integrimin e Shqipërisë në BE shtetasi Sali Berisha nuk e ka realizuar”, ka thënë për mediat Augent Xhaferaj, përfaqësues i AK-së.

Top Channel