Përveç dy partive të mëdha, që Fryma e Re Demokratike i mbetet konsistente për të mos lidhur aleanca parazgjedhore, kjo parti gjithashtu nuk do të bëjë koalicion me asnjë parti që simbolizon korrupsionin e që mbart kosto elektorale.

Zërave për bisedime me LSI, PBDNj apo PDIU për të qenë në një aleancë parazgjedhore për të maksimalizuar votën, nënkryetari i FRD-së Aleksandër Biberaj për Top Channel u është përgjigjur se Fryma e Re Demokratike është e hapur për të gjitha të ashtuquajturat parti të vogla, por përajashton ndër to partitë që perceptohen si të korruptuara.

“Përjashtojmë partitë e vjetra, që kanë qenë simbol i korrupsionit e që nuk kanë punuar për interseat e shqiptarëve. Të tjerat, ato të qendrës së djathtë, mbeten aleate të FRD”, ka deklaruar Biberaj.

Ky kriter, thotë ai, është në përputhje me parimet e FRD-së si parti e krijuar me misionin për të luftuar korrupsionin në pushtet. FRD do të ketë prioritet parësor interesin qytetar, deklaron nënkryetari i saj. Biberaj thotë gjithashtu se FRD po punon për krijimin e polit të tretë në politikë.

“Ne e kemi parë dhe e shohim alternativën për të qenë drejtuesit e polit të tretë. Kemi afrime pozitive nga partitë e tjera dhe mund të jemi rregulluesi i balancit të pushtetit pas 23 qershorit, pasi Shqipëria nuk ka më nevojë për një politikë bipolare. Koha tregoi që ky është një sistem i dështuar”, theksoi Biberaj.

FRD nuk do të varet në krijimin e aleancave nga partitë që kanë komisionerë në piramidën e komisioneve zgjedhore për të mundësuar ruajtjen e votës.

Pavarësisht dëmtimit që institucionet e kontrolluara nga pushteti po i bëjnë FRD-së, Biberaj thotë se mbështetja qytetare që po rritet vazhdimisht për shkak të zhgënjimit dhe distancimit nga PD, është garancia e saj për të ruajtuar rezultatin elektoral.

Top Channel