Ekspertët zgjedhore bashkohen në opionin se Parlamenti ka të drejtë të
marrë në dorë çështjen e ndarjes së mandateve, pas dështimit të KQZ-së
për të marrë një vendim.

Kristaq Kume dhe Çlirim Gjata thonë për Top Channel se ligji zgjedhor detyron legjislativin ta ndërmarrë këtë akt, por dy ish-kryetarët e KQZ–së ndahen në pikën nëse Parlamenti ka apo jo kompetencën të ribëjë llogaritjen e mandateve.

“Kuvendi nuk mund të hyjë dot në procese llogaritëse, nuk është në tagrin të punëve të Kuvendit. Kuvendi më e shumta që mund të bëjë do të ishte një amendim i asaj çka ai ka marrë vendim përpara, pra amendim dhe lënia në fuqi të vendimit që ai ka marrë në kuadër të ndarjes së mandateve për zgjedhjet e 2009, më tepër nuk mund t’i kërkohet Kuvendit që të bëjë një gjë të tillë”, thotë Kume.

“Deri më datë 5 apo 7 mars, Kuvendi duhet ta miratojë ndarjen e mandateve, kështu që nuk mund të varet Kuvendi nga dëshira e KQZ-së, nga vullneti i KQZ-së, mori apo jo vendim. Pastaj, nëse a duhet të bëjë ndarjen e 2009 Kuvendi, a duhet të bëjë një ndarje të re, apo atë ndarje që po bënte KQZ-ja po që s’arriti të kishte 5 vota, Kuvendi është i detyruar të zbatojë procedurën e nenit 75, që është formula përkatëse, atë është i detyruar ta bëjë Kuvendi. E bëri KQZ-ja s’arriti të merrte votat, këtë gjë do ta bëjë Kuvendi…kaq është historia”, thotë Gjata.

Per dy ish-kryetarët e KQZ-së nese Parlamenti le ne fuqi vendimin e 2009, ai eshte i ankimueshem ne gjykate, por kjo duhet te behet perpara mbajtjes se zgjedhjeve. Ndersa Gjata teorikisht perjashton mundesine e ankimimit pas 23 qershorit, per Kumen nese kjo behet pas zgjedhjeve do të kthehet në një lojë te rrezikshme politike.

“Akti Administrativ mund të goditet për antikushtetueshmëri nëse sa kohë nuk është përfunduar qëllimi për të cilin ka dalë, në rast se përfundojnë zgjedhjet, atëherë s’ka më vlerë. Nuk mund të vish më pas të thuash se përse u ndanë kështu, kur i ke pranuar këto rregulla loje, t’i kishe goditur që përpara…Realizimi i datës së zgjedhjeve tregon se Akti e ka arritur qëllimin, ka përfunduar atë për të cilën është trajtuar Akti. Nuk mund t’i drejtohet gjykatës më pas, mendoj unë. Formalisht po, por s’besoj se Gjykata Kushtetuese mund të japë një vendim ta rikthejë pas sepse ke shprehur vullnetin, i ke pranuar këto rregulla loje. Mund ta godasësh të nesërmen e ndarjes së mandateve, ndoshta…”, thotë Gjata.

“Nëqoftëse se pas zgjedhjeve do të ketë një ankimim të tillë, kjo do të jetë vetëm një ndër të shtigjet që mund të përdorë humbësi për të justifikuar humbjen dhe jo shprehje e merakut të asaj që vidhet me kushtetuetshmërinë e zbatuar apo jo, lidhur me barazinë e votës. Në rast se ka të tillë merak, ky do të bëhet menjëherë pas vendimit të Parlamentit të Shqipërisë dhe le të presim shprehjen, nëqoftëse bëhet,të  Gjykatës Kushtetuese nëse ka ose nuk ka shkelje të Kushtetutës. Mozbatim të kërkesave të ligjit? Po, ka sepse ligji e kërkon që të realizohet, duke patur parasysh lëvizjet demografike, por se kush e solli këtë situatë, tashmë të gjithë e dimë, mungesa e vendimmarrjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, tha Kume.

Ndersa koalicioni me i madh i vezhguesve vendore, ndan nje tjeter qendrim. Ndarja duhej te behej nga KQZ-ja dhe kete nuk e zevendeson dot Parlamenti. Por me shume sesa tek procedura koalicioni vezhguesve ve theksin tek produkti, domosdoshmerinë për një rindarje të re të mandateve.

“I vetmi institucion që ka tagrin për ndarjen e mandateve është kolegjialiteti dhe pavarësia e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. KQZ-ja duhet ta kishte realizuar ndarjen e mandateve, pasi ne mendojmë që preket në tërësi dhe parimi themelor kushtetues, sic është parimi i barazisë së votës edhe sikur të gjitha standardet e tjera të realizohen. Duke prekur këtë paritet të barazisë së votës është një insinuatë që krijon probleme në vazhdim”, thotë Gerta Heta.

Parlamentit ka hapur procedurat e ndarjes se mandateve, ku eshte çuar propozimi nga Komisioni i Ligjeve per lenien ne fuqi te ndarjes se mandateve sipas vitit 2009. Nese njohesit e ligjit debatojne per menyrat e rregullit te nje situate ligjerisht te veshtire ku kjo çeshtje hyri, ata bashkohen ne piken e detyrimit ligjor per nje ndarje te re te mandateve.

Top Channel