Drejtësi për “21 janarin”

18/01/2013 00:00

Në vigjilje të përvjetorit të dytë të tragjedisë së 21 Janarit, ku
humbën jetën 4 protestues, kreu delegacionit të BE-së në Tiranë Ettore
Sequi krahas shprehjes së keqardhjes për atë që ndodhi theksoi rëndësinë
e vendosjes së drejtësisë së pavarur.

Sequi tha se sot mbushen saktësisht dy vite që nga dita kur ai erdhi në Shqipëri me 18 janar 2011.

“Tre ditë pas mbërritjes time ndodhi tragjedia e 21 janarit që më trishtoi shumë.  Me afrimin përsëri të përvjetorit të ngjarjeve tragjike të 21 janarit 2011, mendimet tona shkojnë në radhë të parë tek familjet e atyre që humbën jetën. Në këtë ditë të trishtuar, do të doja edhe një herë të shpreh ndjenjat më të ndjera të dhembshurisë për humbjen e tyre. Por ky përvjetor gjithashtu na shtyn të jemi përballë faktit se hetimi dhe procesi gjyqësor i këtyre ngjarjeve ende nuk kanë përfunduar.Në respekt të atyre që humbën jetën dhe në respekt të shtetit ligjor,
këto procese duhen përfunduar në kohë dhe në mënyrë të pavarur.
Drejtësia duhet të vihet ne vend. Të gjithë politikanët shqiptarë u detyrohen atyre që përfaqësojnë, që të punojnë së bashku për të ndërtuar një shtet ligjor më të fortë”, tha Sequi.
 
Vetëm duke treguar që e ka forcën për ta zbatuar plotësisht dhe në mënyrën e duhur shtetin ligjor,- tha Sequi,- Shqipëria do të mund të ecë përpara në rrugën e saj drejt objektivit kombëtar të integrimit në Bashkimin Evropian.

Top Channel