Berisha: Rritja ekonomike 2.7 %

16/01/2013 00:00

Ndërsa kreu i Ministrisë së Financave Ridvan Bode, deklaroi pak ditë më
parë se rritja ekonomike në Shqipëri ka qenë 1.5 për qind në 2012, kreu i
qeverisë Sali Berisha deklaron se rritja ekonomike gjatë 3-mujorit të
tretë të vitit të kaluar shënoi 2.7 për qind.

Në mbledhjen e përjavshme të qeverisë, Berisha e ka shpjeguar rritjen ekonomike të vendit një sukses te vërtetë, fal reformave dhe politikave ekonomike të ndjekura.

“Shqipëria u rendit në vendin e katër në botë si vendi që e ka kthyer rritjen ekonomike në mirëqënie për qytetarët e saj. Në raportin e FMN-së, rritja ekonomike e Shqipërisë është e qëndrueshme. Kështu i gjithë debati ose bëhet nga keqdashësit ose nga injoranca e njerëzve të cilët me filxhanin e kafesë flasin për ekonominë dhe që s`kanë as edhe njohurinë elementare për ekonominë”, tha ai.

Kryeministri Berisha i është rikthyer akuzave për liderin e socialistëve, Edi Rama dhe deklaratat e tij për uljen e taksave.

Sipas tij,  Rama me idenë e taksave vetëm sa synon të kthehet pas në kohë, ndryshe nga e djathta që ka sloganin, “Përpara!”. “Me idenë për taksën shkon në vitin ‘45, me agjencinë e taksave speciale shkon drejt konfiskimit të pasurive. Ja këtë i premtoi biznesit z Rama. Nuk shkon para Rama”, tha Berisha.

Sipas tij, kryesocialisti Rama me idenë e taksës progresive dhe agjencinë speciale për taksat, tenton politikën e vjedhjes së bizneseve së të pasurve.

“Unë e dëgjoj z Rama një ditë thotë poshtë Koleka, një ditë thotë rroftë Koleka, e ka dajë, në fakt e ka, por nuk ka rëndësi, sepse e drejta e ndryshimit është e çdo njeriu, por u kthye prapë tek Koleka me taksën progresive. Ja kjo është politika sesi të shkatërrojë vendet e punës, ja pra kjo është politika dhe shumë interesante po ta ndjekësh këtë agjenci. Foli për agjenci speciale për taksat, për politikë të taksave të veçanta për të zhveshur të pasurit, për politikën e NEP-it, NEP-i ishte politika e vjedhjes dhe e shkatërrimit të bizneseve”, tha Berisha.

Top Channel