Kriza energjetike,Braçe: Pasojë e menaxhimit politik

14/12/2012 00:00

Deputeti socialist Erjon Braçe deklaron se shkaku i krizës së thellë
energjetike që po përjeton Shqipëria është menaxhimi politik i sektorit,
që nisi në vitin 2008, kur u privatizua kompania e shpërndarjes.

“U shit pasuria më e madhe e shqiptarëve me letra të bardha pa kushte që janë të tilla, të bardha edhe pas katër vitesh në zyrat e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë apo në fletoren zyrtare dhe u shit me qëllime politike po prapë te një kompani shtetërore çeke që ishte presidentja e radhës e Bashkimit Evropian”, u shpreh Brace.

Zoti Braçe akuzon se menaxhimi politik i sektorit u thellua në vitin 2009 me zgjerimin e koalicionit qeverisë, që sipas tij solli administrimin për interesa politike të kompanive publike KESH dhe OST.

“Ashtu siç, në mënyrën më të keqe të mundshme ndryshoi karakteri i Enti Rregullator i energjisë, duke u kthyer në një ent mirëfilli politik që u nda me përqindje mes dy partive që sot qeverisin, PD dhe LSI-së. Ka qenë një dëm kolosal, sepse vendimmarrja e tillë ka kushtuar jashtë mase mbi qytetarët e Shqipërisë, thjesht në përmbushje të interesave qeveritare në raport me kompaninë CEZ”, theksoi Braçe.

Në vitin 2008 përpara privatizimit të shpërndarjes enti dhe Qeveria përcaktuan një model sipas të cilit do të funksiononte tregu energjetik. Që prej disa muajsh modeli është shndërruar gati në një skemë piramidale. KESH është e detyruar të prodhojë dhe blejë energji për të furnizuar CEZ, e cila arkëton para nga faturat e konsumatorëve, por nuk paguan mbrapsht. Kostoja mbi qytetarët bie dyfish.

“Qytetarët shqiptarë janë të vetmit në botë që paguajnë dy herë energjinë elektrike. Një herë paguajnë kur paguajnë faturën e energjisë elektrike, kur ju shkon në shtëpi, 200 për qind më shtrenjtë se në 2005 dhe herën e dytë paguajnë përmes buxhetit të Shtetit”, tha Braçe.

Zvarritja e zgjidhjes së krizës që ka përfshirë sektorin po e rëndon edhe më shumë faturën. Prej disa ditësh ndërprerjet janë bërë të shpeshta në gjithë vendin, duke vënë në dyshim sigurinë e furnizimit me energji.
 
“Eshte e paafte qeveria ta zgjidhe kete krize, nuk mund ta zgjidhe sepse gjatë katër viteve, që në vitin 2008 ndërtoi një marrëdhënie të korruptuar me CEZ. Eshtë e pamundur ta zgjidhin këta, se këta janë të kapur. Kanë marrë vendime qeveritare në favor të kompanisë CEZ dhe natyrisht kanë përdorur, kanë ndërtuar një rrjet të tërë kompanish të klientëve të tyre për ta rrjepur deri në fund kompaninë CEZ”, theksoi Braçe.

Enti Rregullator i Energjisë ka nisur zyrtarisht procedurat për rishikimin e licencës së CEZ dhe brenda pak ditësh pritet të marrë një vendim përfundimtar.   

Top Channel