Vetëm bukë e kripë në familjen me tre fëmijë

13/12/2012 00:00

Shumë familje në zonat e thella malore të Qarkut Shkodër në këto ditë të
ftohta me borë po kalojnë një situatë tepër të vështirë ekonomike në
kushtet e mbijetesës.

Në qytetin e Pukës, që ndodhet në zemër të Veriut të Shqipërisë, një familje prej tetë anëtarësh që ushqehet vetëm me bukë e kripë jep alarmin, pasi ndodhet në një varfëri ekstreme, duke rrezikuar jetën nga pamundësia për të mbijetuar. Askund më të përshtatshme dhe reale se nga Puka e Migjenit nuk duken vargjet e poemës së mjerimit.

Për në Pukë…

Rruga për në Pukë në këto ditë nuk është një udhëtim i zakonshëm. Një ngjyrë e bardhë që është dëbora në rrugë dhe mbi pemë të shoqërojnë gjatë gjithë kohës. Temperaturat e ulëta deri në minus 7 gradë dhe akulli e bëjnë udhëtimin akoma më të rrezikshëm. Sa më shumë që i afrohesh Pukës, aq më shumë shtohet trashësia e dëborës mbi rrugë. Në Pukë ka shumë pak lëvizje dhe shumë makina, të cilat kanë mbetur të mbuluara nga dëbora. Ata pak njerëz që shihen në rrugë ecin kokulur, duke u kujdesur të mos rrëshqasin në akullin që ka ngrirë dhe të krijojnë përshtypjen se kanë dalë sa për të kryer ndonjë punë dhe për t’u kthyer me shpejtësi në shtëpitë e tyre. Në Pukën me shumë halle ka shumë familje që në këto ditë të ftohta po zhvillojnë një betejë të vërtetë me jetën.

Te familja Dizdari

Kështu është edhe familja Dizdari, në lagjen “Kukaj”, në periferi të qytetit. Nga pamja e parë e shtëpisë të duket se nuk jeton njeri brenda, pasi as oxhaku në këtë shtëpi nuk ka me se të ushqehet. Gjendja në të cilën ndodhet kjo shtëpi i ngjason kushteve të Mesjetës. Fëmijët këmbëzbathur, me rroba të grisura dhe barkun bosh, duke u ushqyer me bukë e kripë, duket sikur janë personazhet e poemës së mjerimit. Gjatë gjithë kohës, fëmijët për shkak të të ftohtit që kanë qëndrojnë pranë një stufe gjysmë të ndezur që më shumë nxjerr tym sesa ngroh. Askush më mirë sesa rrëfimi trishtues i zonjës së shtëpisë, Bube Dizdari, nuk mund ta përshkruajë mjerimin brenda katër mureve. Plaka e shtëpisë, Bube Dizdari është 71 vjeçe, të gjithë pjesëtarët e familjes jetojnë me pensionin e saj prej 12 mijë lekësh, ndërsa djemtë vazhdojnë të mos gjejnë askund punë, ndërsa fëmijët dhe të rriturit vazhdojnë të flenë me barkun bosh. Teksa tregon gjendjen në skajet e mbijetesës plaka burrneshë, herë pas here ndalon rrëfimin nga lotët.

Në çfarë kushtesh jetoni, çfarë të ardhurash keni?

Nuk ma merr mendja se do ketë familje të ndonjë qyteti në këto kushte të mjerueshme. Ju e shikoni vetë. Këtu brenda nuk mund të jetojnë as bagëtitë, por rrojnë tetë persona. Jam me dy djemtë, nusen e djalit dhe tre nipa e mbesa, ku më i madhi është 5 vjeç dhe më i vogli një viti e gjysmë. Nusja pret të shtohet edhe me një fëmijë tjetër. E vetmja e ardhur është pensioni që marr prej 12 mijë lekësh. Komshinjtë më thonë “Bube, kur të vdesësh, merri fëmijët dhe nipat se këta prej teje rrojnë”. Shtëpia ku jetojmë, jo vetëm që është shumë e ftohtë, por e fut gjithë shiun dhe borën brenda. Nuk e di sesi jemi gjallë. Nuk kemi as televizor, as radio, as mundësi ngrohjeje, as mundësi ushqimi.. nuk kemi asgjë. Mbesat e mia, në vend që tani të qëndronin para televizorit si bashkëmoshataret e tyre, që të shihnin programe për fëmijë, qëndrojnë gati mbi stufë se po vdesin nga i ftohti dhe mosushqyerja.

Po djemtë, pse nuk punojnë?

Ata duan që të hynë në punë, por nuk ka punë askund. Kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë, por kthehen duarbosh. Djemtë dalin se mos ka kush nevojë për hamall dhe vetëm në raste të rralla gjejnë ndonjë punë të vogël, ose i merr ndokush për sevap, por asgjë nuk është ajo punë.

Pak më parë më thatë që ka ditë që nuk gatuaj, çfarë do të thotë?

(Plaka ngrihet nga divani dhe tregon tenxheret e boshatisura. Lotët i rrjedhin pa pushim e zëri i dridhet). Bukë e kripë, djali im, bukë e kripë. Ja shikoje kripën në pjatë dhe vajzën tre vjeçe që po ushqehet me bukë e kripë. Nuk kam çfarë të gatuaj. Asgjë! Ka ditë që nuk gatuaj. Kështu po e pres unë dhe familja ime Vitin e Ri. Kështu e kam pritur edhe festën e Bajramit e kështu kam për t’i festuar edhe nuses festën e Krishtlindjeve. Bukë e kripë është një shkallë pa shku te vdekja, është fundi i njeriut.

Nusja e djalit

Në ato momente, zonja e shtëpisë nuk flet dot më, ndërsa nusja e shtëpisë, Davida Dizdari me tonin e një njeriu që kërkon sa mëshirë dhe drejtësi apelon për ndihmë. “Nuk e di nëse ato pushtetarët e mëdhenj mund ta marrin vesh punën tonë se ne nuk kemi as televizor dhe as radio në shtëpi dhe nuk e dimë se çfarë bëhet, por u them se nëse duan të shpëtojnë njerëz që po vdesin për bukë, të vënë dorën në zemër, të gjejnë ndonjë punë për ne, të na strehojnë. Jemi njerëz që flemë pa ngrënë. Nuk kemi asgjë dhe asgjë, veç shpirtit”, shprehet ajo.

Gazeta “Shqip”

Top Channel