Futbollisti 17-vjeçar i “shuar” në fushë

12/12/2012 17:25

Një ngjarje tragjike tronditi thellë banorët e qytetit te Kukesit ne 30 nëntor. Futbollisti i ekipit U-17 të qytetit Ilirian Thaçi humbi jetën gjatë një ndeshje miqësore që skuadra e tij zhvillonte me Prizerenin.

Në këto ditë të ftohta dimri lagjia nr 6 e Kukësit është edhe më e boshatisur se herët e tjera.

Në shtëpinë e Sahit Thaçit, edhe pse kanë kaluar ditët e mortit ende presin njerëz. Babai i Ilirianit, me lot në sy tregon momentet kur vendosi që djalin e tij të madh ta aktivizojë në futboll.

“E kishte shumë qejf futbollin dhe unë e regjistrova, me vullnetin e tij, në ekipin e të rinjve. Kishte shumë dëshirë të luante dhe vazhdoi që nga ajo kohë të angazhohej vazhdimisht. Stërvitej dhe luante krahas shkollës”, deklaroi babai i të ndjerit.

Iliriani ëndërronte të bëhej një lojtar i niveleve të larta, por “u shua” në nisje të një karriere shumë premtuese. Sipas mjekve shkaku i ndarjes nga jeta ishte një atak kardiak të cilit 17-vjecari nuk mundi t’i mbijetonte.

“Asnjëherë, as në kohën para futbollit as kur u regjistrua dhe as në stërvitje, nuk ka dhënë kurrfarë shenje që të kishte ndonjë problem, një dhembje apo diçka. Ka qenë jashtëzakonisht shumë aktiv, dilte me shokët dhe asnjëherë as me shokët e shoqet e klasës nuk ka pasur diçka apo ndonjë shqetësim”, tregoi Sahit Thaçi.

Për 39-vjeçarin, dhembja e humbjes së djalit ka qenë e shumëfishtë. Prej mëse një viti ai jetonte larg familjes, në Angli. Me lot në sy, babai tregon një nga bisedat e shumta që zhvillonte me Ilirianin pas cdo ndeshje. “Kishte qenë në Vlorë për pavarësinë. Më tregonte me shumë entuziasëm për ndeshjen që ishte zhvilluar, me vendasit që e donin me çdo kusht fitoren. Ai ishte një djalë që e donte së tepërmi jetën”.

Megjithëse aktivizohej në futboll, Iliriani nuk la pas dore edhe mësimet. Ai kishte udhëtuar në shumë qytet të Shqipërisë, por me Beratin duket se u dashurua dhe pikërisht aty donte të vazhdonte studimet.

“Nuk më hiqet nga nga mendja, që bëri një foto para universitetit të Beratit, që ngjan paska si Shtëpia e Bardhë. Më tha që donte të shkonte atje dhe të vazhdonte studimet”, kujton i prekur babai i të ndjerit.

Ilirian Thaçi i mungon familjes, i mungon qytetit të Kukësit, miqve të shtrenjtë si dhe futbollit të qytetit të tij.

Në stadiumin e rindërtuar së fundmi, Iliriani nuk ia doli të luante shumë gjatë, megjithëse ai la gjurmë në çdo ndeshje që zhvilloi. E për këtë duket se shumë shpejt Këshillit të Bashkisë Kukës do t’i propozohet që emri i stadiumit të Kukësit të jetë “Ilirian Thaçi”.

Trajneri i tij, Agim Bela, tregon për talentin e të riut si dhe përmend se ai nuk ka vënë re asnjëherë ndonjë shqetësim pasi  edhe në bazë të testeve çdo gjë ishte sipas normave.

“E kam stërvitur që prej moshës 12-13 vjeçare. Ishte një djalë i mirë dhe i sjellshëm, shumë i përkushtuar, që nuk humbte asnjë stërvitje. Nuk kam dyshuar kurrë që mund të kishte një problem të kësaj natyre, aq më tepër që ai ishte një lojtar potent, kishte besim në procesin stërvitor dhe kurrë nuk ka pasur kurrfarë problemi”, tregoi trajneri Bela.

Zemra e Ilirian Thaçit ndaloi në mesditën e 30 nëntorit, pikërisht në vendin për të cilin rrihte më fort, në fushën e futbollit.

Top Channel