Berisha: T’i jepet fund gjakderdhjes në Siri

05/10/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi se Shqipëria 20 vite më parë ishte
ndër vendet më të varfra, ndërsa sot renditet në vendet me të ardhura të
mesme, të larta. Sipas tij, vendi ynë renditet i treti në Evropë për
aksesin e lehtë në sistemin shëndetësor.

“Shqipëria nuk ka njohur recesion, ndërsa rritja ekonomike ka qenë 4 herë më e lartë se rajoni”, u shpreh Berisha.

Duke folur në punimet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Berisha u shpreh se OSBE ka qenë një partner i shkëlqyer për Shqipërinë, duke dhënë një kontribut të vyer për forcimin e demokracisë në vend.

“Falenderojmë Asamblenë Parlamentare dhe OSBE për kontributin e tyre në Shqipëri. Ftoj OSBE-në të vijë dhe vëzhgojë zgjedhjet e vitit 2013”, u shpreh Berisha.

Kryeministri Berisha preku në fjalën e tij edhe cështjen e Sirisë, duke shprehur shqetësimin për zhvillimet e përgjakshme në këtë vend.

“Regjimi vrasës i Assad po merr cdo ditë jetë njerëzisht. Siria duhet të ndjejë ndihmën e kombeve të lira, ndaj unë kërkoj që kjo Asamble të bëhet promotor për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Siri”, u shpreh Berisha, duke shtuar se Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e saj modest në Siri.

Top Channel