Nga mbledhja me deputetët demokratë, kryeministri Sali Berisha komentoi thellimin e konfliktit mes dy paleve, pasi Partia Socialiste vendosi kusht për projektligjet me 3/5 zbatimin e vendimeve të gjykatave për qarkun Fier.

Për kreun e mazhorancës, ajo që në fakt po kërkon Edi Rama është pazari politik. Berisha tha se, ashtu si në rastin kur kërkohej rinumërimi i votave pas zgjedhjeve të 2009, edhe këtë herë ai nuk mund të marrë në konsideratë kërkesat e opozitës pasi në mes sipas tij janë vendimet e gjykatave.

Në këtë sqarim, kryeministri gjeti mundësinë të kthejë përgjigje edhe përse bën deklarata politike përpara nxënësve të shkollave gjatë përurimit të tyre.

“Ka dy javë që i nxjerr deputetët nga Komisioni duke lënë karriket bosh dhe ankohen se përse unë ju them nxënësve të shkollave: ‘I ngulni sytë te ato karrike dhe mos i harroni’. Po, absolutisht do ia them çdo fëmije në Shqipëri, sepse në ato karrike bosh, ti po shkelmon ëndrrën e bukur fëminore dhe rinore. Dhe cfarë kërkon? Kërkon pazar politik për vendime gjykatash. Gjëja më absurde”, deklaroi Berisha.

Kreu i qeverisë përmendi edhe një tjetër konflikt të hapur mes palëve, atë për zgjedhjen e drejtuesit të ri të KQZ-së. Sipas Berishës, edhe në këtë rast opozita po kërkon të zbatohen dy standarte.

Ai tha se kanë qenë demokratët ata që më herët kanë kërkuar seancë dëgjimore në komisionin e ligjeve edhe për anëtarët, por kjo sipas tij është refuzuar nga opozita.

Pavarësisht se PS kërkon seancë dëgjimore me aplikantët për kreun e KQZ, parashikuar si proçedurë në Kodin Zgjedhor, kreyministri iu referua standartit kur tha se duhet të kalojnë ose të gjithë kandidatët për trupën e KQZ në proçes dëgjimor, ose asnjëri prej tyre.

“Parlamenti e ka të drejtën e dëgjimit. Refuzon për të tjerët dhe kërkon vetëm për disa, se këta janë të deklasuarit, sipas tyre”, theksoi Berisha.

Sipas kryeministrit, edhe për KQZ-në Rama po përpiqet ta kthejë çështjen në pazar. “Pra, tani prapë do të kërkojë pazare. I bëj thirrje të heqë dorë nga mania e pazareve që e ka mbërthyer dhe nuk përmbahet dot, se mund të ndodhë ndonjëherë që të blesh lirë, por të kushton sa frengu pulën”, shtoi Berisha.

Rregullorja e Kuvendit parashikon që në komisionin e ligjeve të dëgjohen aplikantët për kryetar të institucioneve kushtetuese, ose atyre të krijuara me ligj, por nuk ka të parashikuar këtë proçedurë për të propozuarit e partive për anëtarë të këtyre institucioneve. 

Top Channel