Kafka e një femre gjendet në pyll

20/09/2012 00:00

Kafka e dyshuar e një femre në moshë të re është gjetur nga një banor i
fshatit Shëngjergj në Tiranë, ndërkohë që menjëherë kanë nisur hetimet
për një vrasje të mundshme.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur dy ditë më parë në afërsi të vendit të quajtur “Mali i Fagut”, që ka vënë në alarm policinë për femrat e zhdukura, ndërsa Mjekësia Ligjore ka nisur ekzaminimet e kufomës, me qëllim identifikimin e saj.

Gjetja e kafkës

Burime të Policisë së Tiranës bëjnë me dije se në zonën e Shëngjergjit, në fshatin Fag, banorët e zonës kanë gjetur një kafkë dhe disa kocka skeleti njeriu. Fillimisht, një banor i zonës ka telefonuar inspektorin e zonës së Komisariatit Nr. 4, i cili i ka shpjeguar se ka gjetur një kafkë njeriu. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, duke ngritur një grup hetimor, që në përbërje ka ekspertëve të policisë gjyqësore, laboratorit kriminalistik, të mjekësisë ligjore dhe prokurorë, për të zbardhur detaje dhe të dhëna rreth identitetit të personit. Eshtrat e gjetura në vendin e quajtur “Mali i Fagut” janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për t’u ekzaminuar në mënyrë të detajuar.

Këqyrja e vendit

Mjekët e këtij instituti bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes, në një zonë pylli është gjetur kafka me dimensione të vogla. Këto përmasa të lënë të mendosh se kemi të bëjmë me kafkën e një femre, megjithëse ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht. Gjithashtu, në afërsi të saj janë gjetur disa kocka skeleti, që mendohet se u përkasin krahëve dhe këmbëve të kufomës. Nga këqyrja paraprake mendohet se femra është mbi 20 vjeçe dhe që ka ndërruar jetë në muajt e fundit. Ndërkaq, Mjekësia Ligjore ka bërë ekzaminimet paraprake të kafkës dhe të kockave të tjera, nga ku ka rezultuar se në kafkë nuk ka dëmtime si ato të plumbave, por ka gërvishtje ashtu si edhe në pjesët e tjera. Këto gërvishtje mendohet se mund të jenë bërë edhe nga kafshët, pas vdekjes së personit, që mendohet se është femër.

Identifikimi i saj

Pas këqyrjes paraprake, eshtrat e gjetura janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme, ndërkohë që burimet nga Mjekësia Ligjore bëjnë me dije se duhet rreth dy javë, ose më shumë për të dhëna të tjera mbi identifikimin e saj. Mjekët konfirmojnë faktin se po punohet intensivisht për të përcaktuar të dhëna shtesë, si gjinia e saktë, mosha e viktimës dhe përgjigjet e ADN-së.

Top Channel