Veliaj: Berisha, frikë nga vota e emigrantëve

23/08/2012 00:00

Partia Socialiste akuzon Kryeministrin Sali Berisha për hipokrizi, kur
deklaron se emigrantët duhet të votojnë, por, kur vjen puna në hartimin e
legjislacionit nuk pranon në mënyrë kategorike të diskutojë për këtë
çështje.

Erion Veliaj, Sekretar për Rininë dhe Emigracionin në PS, shpjegon arsyet se përse Kryeministri Berisha po i mohon emigrantëve të drejtën për të votuar.

“Ka një dallim të madh nga e thëna në të bërë. Kryeministri thotë shumë gjëra që nuk i bën, siç është vota e emigrantëve. Ne e kemi propozuar në vitin 2008 në Komisionin e Reformës Zgjedhore sistemin e votës me postë, pra emigrantët jo vetem në Greqi apo Itali, ku ka një sistem konsullor, por edhe në vende të tjera të votonin me postë, atëherë mbaj mend që përveç Gilman Bakallit, PD e hodhi poshtë atë propozim. Kurse në Komisionin e Reformës Zgjedhore të 2012-s, as nuk u fut në rendin e ditës, as nuk u pranua për t’u diskutuar. Arsyeja përse PD nuk e bën një gjë të tillë dhe Kryeministri nuk beson të vota emigrantëve është shumë e thjeshtë. Një emigrant që është histori suksesi, qoftë ky një student apo një sipërmarrës apo nëj familja që ia ka nisur jetës nga e para dhe ka arritur sukses në perëndim në thelb është një qytetar i lirë, i cili nuk blihet as me thes me miell e as me zarfin me para dhe kësisoj do të thotë që Berisha të pranojë një infuzion vote të lirë. Berisha nuk e njeh fare emigracionin. ai ka jetuar ose në njërën anë të bllokut, ose në anën tjetër të bulevardit”, tha Veliaj.

Veliaj thotë se maxhoranca e sotme, ndryshe nga opozita, i konsideron emigrantët thjesht si një burim parash.

“Për disa njerëz që janë pjese e estabilishmentit, (fjala vjen marrim rastin e PD-së), nuk e pengon opozita që në PD apo këshillin kombëtar të ketë përfaqësues të emigracionit. Fakti që nuk e bën do të thotë, që nuk e kupton fare që një pjesë e konsiderueshme e kombit jeton jashtë. Duhet të mbajmë parasysh vetëm një fat. Çdo vit në Shqipëri vijnë 1 miliardë euro nga remitancat e emigrantëve që jetojnë jashtë. Nëse kjo përbën 10 për qind të ekonomisë, është i vetmi faktor që amortizon në njëfarë mënyre krizën globale. Ajo që Bberisha u thotë emigrantëve është që ‘ne duam që ju të jeni aksionerë ekonomikë, por jo aksionerë politikë me të drejtë vote’. A ka një sipërmarrje në botë, ku dikush ka aksione ekonomike, por i mohohet vota në vendimmarrjen e përbashkët? Shqipëria është një ndërmarrje e përbashkët e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Disa qytetarëve nuk mund t’u thuhet: na sillni paratë, por jo vendimmarrjen dhe opinionin tuaj për mbarëvajtjen në Shqipëri! Besoj që e vetmja rrugë është që emigrantët, sidomos ata që janë më afër dhe kanë mundësi, ose ata që mund të telefonojnë familjet e tyre, të kontribuojnë në një rilindje shqiptare, në një fitore të asaj partie që është tashmë Partia e emigrantëve shqiptarë, Partia Socialiste”, tha Veliaj..

Tashmë që nuk ka më të voglin dyshim, se edhe në zgjedhjet e 2013-s emigrantët nuk do të votojnë, PS shpreson në ardhjen e tyre fizikisht, për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës.

Top Channel