Mallakastër, protestë për shpronësimet

20/06/2012 00:00

Një protestë për dëmshpërblimin e tokave ka ndërprerë punimet në autostradën Levan – Tepelenë. Për 4 orë me radhë mjetet e transportit që përdoren në ndërtimin e kësaj autostrade kanë qendruar të pa lëvizura si pasojë e bllokimit të rrugës nga banorët e fshatit Dams, në Mallakastër.

Shkak për këtë është bërë mosshlyerja e rreth 90 familjeve që janë shpronësuar. Banorët thonë se kanë tre vjet që u është marrë prona dhe nuk po shpronësohen.

“S’na është dhënë asnjë përgjigje, por vetëm ai afata ‘pas një jave…pas një jave’ duke filluar që nga drejtoria e shpronësimeve, drejtoria e rrugëve edhe firmat përkatëse që kanë marrë rrugën. Duam të drejtën tonë për tokat. Kjo është mungesë totale e shtetit. Ka 3 vjet që është bërë shpronësimi i tokave dhe ne ende mbajmë sytë nga qielli se mos na vjen ndonjë dhuratë”, thonë banorët.

Drejtuesit e mjeteve janë konfliktuar me banorët duke kërkuar hapjen e rrugës.Çdo familje përfiton nga shpronësimet mesatarisht 25 – 30 milion lekë të vjetra, sipas çmimit të vendosur nga shteti 5300 lekë metri/katror.

Kjo është protesta e dytë që ata bëjnë për këtë qëllim. Këtë radhë, sipas banorëve, protesta do të përshkallëzohet deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.

Top Channel