Freedom House fshikullon Shqipërinë

05/06/2012 00:00

Organizata Freedom House pritet të publikojë të mërkurën raportin e
përvitshëm “Vendet në tranzit 2012”, ku analizohen zhvillimet
demokratike në Europën Qendrore, Lindore dhe ish-vendet e Bashkimit
Sovjetik.

Top Channel ka siguruar një kopje të raportit, ku Shqipëria edhe këtë vit ka pësuar rënie, përsa i përket proceseve zgjedhore, pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe demokracisë.

Ky është konkluzioni Freedom House për zhvillimet e fundit politike në vendin tonë: “Nuk pati progres gjatë vitit 2011, pas vitesh të trazuara të cilat po e mbajnë Shqipërinë larg marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Një skandal më profil të lartë korrupsioni që implikonte zëvëndëskryeministrin, shkaktoi protesta antiqeveritare, nga ku forcat e sigurisë vranë 4 persona. Zgjedhjet lokale u karakterizuan nga dhuna ndërsa ankimimet në gjykatë, për zgjedhjet ne Tiranë u morën në mënyrë partizane, duke shkaktuar kështu për Shqipërinë rënie në renditjen, përsa i përket procesit zgjedhor. Gjithashtu renditja në lidhje me kornizën ligjore dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë u përkeqësuan pas ndërhyrjeve gërryese, si pasojë e influencës që ka politika“.
 
Raporti i referohet edhe atentatit ndaj gjykatesit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, duke cilesuar se u shënua edhe vrasja e parë e një gjykatësi në historinë e vendit. Sikurse edhe në vlerësimin e fundit të Freedom House për vitin e shkuar, qeverisja në Shqipëri për muajt e deritanishëm të 2012-ës vlerësohet me notën 4,75 nga 7 që është maksimalja.

Vlerësimi është më i vogël krahasuar me Bosnjën dhe shtetin më të ri në botë Kosovën, për të cilën qeverisja e vendit vlerësohet me notën 5,75. Shqipëria mbetet e fundit në listën e vëndeve ballkanike, përsa i përket qeverisjes lokale, duke u vlerësuar me notën 3,25.

Sistemi i drejtësisë thuhet në raport ka pësuar rënie. Vlerësimi është 4,75 ndërsa në Kosovë sistemi drejtësisë ka pësuar përmirësime, duke u vlerësuar me notën 5,50.

Nota 5 është vlerësimi që jep Freedom House për korrupsionin në Shqipëri një notë e pandryshueshme që prej vitit 2007. E ndërsa Kosova vlerësohet me notën 5,18 për demokracinë në vend, niveli demokracisë në Shqipëri pësoi rënie gjatë 2012-tës duke u vlerësuar me notën 4,14.

Në tabelën ku renditet vlerësimi për proceset zgjedhore, përbri emrit ‘Shqipëria’ është vendosur një shenjë e cila tregon rënie, si pasojë zgjedhjeve te fundit vendore. Vendi yne vlerësohet me notën 4,25.

Tabela  për pavarsinë e medias, sikurse edhe në vitet 2010 dhe 2011 mbetet i njëjtë duke u vlerësuar me 4,00.
Freedom House është një organizatë jo qeveritare në Neë York e themeluar në vitin 1941, e cila është cilësuar si avokate e demokracisë në botë duke kryer kërkime për demokracinë dhe monitoruar të drejtat e njeriut në të gjithë botën.

Që prej vitin 2003 ‘Freedom House’ ka përfshirë Shqipërinë në raportet e saj të përvitshme.
 

Top Channel