XHOVANI SHYTI – Fatos Nano, ish kryetari i parë i socialistëve,disa herë kryeministër i vendit, i vetëshpallur nga ekrani i televizionit “Top-Channel” për të qenë një kandidaturë në garën presidenciale, e ka mbyllur fazën e parë të takimeve “kokë më kokë” me kryeministrin Sali Berisha, njëherësh edhe kryesues kampionship i Partisë Demokratike.

Ditën e Enjte, rreth orës 14.00, pasi doli prej selisë së kryeministrisë, Fatos Nano nuk bëri komente. Por as Kryeministri në detyrë,nuk bëri të tilla komente. Të dy heshtën. Duke mos dhënë shpjegime të hollësishme, por duke u mjaftuar me njoftimin për shtyp se, me këtë takim, i vetëshpalluri si kandidaturë presidenciale, pra z.Nano, e quajti të përfunduar turin e takimeve “tet a tetë” me liderat e partive, nga të cilët pret mbështetje konsensuale. Pasi pretendimi i Fatos Nanos është të jetë një president konsensualë,i dalë me miratimin e të gjitha palëve politike.Me synimin e deklaruar prej tij: Për të vendosur bashkëpunimin e munguar, që do të ndihmojë në zhvillimin dhe integrimin e vendit drejt standarteve demokratike. Në integrimin gjithëeuropian. “Shqipëria është kandidate dhe është shumë e rëndësishme të fitojë statusin e merituar dhe të vonuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian në procesin që ka nisur. Më lejoni të them me vërtetësi që si politikan dhe qytetar i përgjegjshëm, kam bërë një ofertë, kam ofruar dijet dhe përvojën time, aftësitë dhe kapacitetet për të shërbyer që klima e sotme politike të ndryshojë, që marrëdhëniet midis politikës dhe institucioneve të jenë më progresive dhe nxitëse për të kryer detyrat e tyre ndaj qytetarëve dhe publikut”, do të deklaronte Nano në emisionin “Top Story” të “Top Channel”, të dt.19 prill 2012. Ku dhe publikoi se ai do të kërkonte zyrtarisht nga PS-ja mbështetjen për kandidaturën e presidentit. Por dhe ku garantoi se do të gjente mbështetjen e deputetëve nga mazhoranca e më gjerë.

Pas kësaj Nano u takua me ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu. Vazhdoi tratativat duke marrë takim me kreun e LSI-së, Ilir Meta, me dy deputetë të Partisë së Çamëve, përkatësisht Shpëtim Idrizin dhe Dashamir Tahirin. U takua, gjithashtu, me Fatmir Mediun e PR-së, me Vangjel Dulen e PBDNJ-së, por dhe me Edi Ramën. Shëmrën, për inat të të cilit ndryshoi gjithë kursin e vet politik,duke mos hezituar madje të dorështrëngohej edhe me Sali Berishën. Ish Presidentin e kohës kur u arrestua dhe u dënua i akuzuar si shpërdorues i ndihmave miliardëshe italiane, me njeriun, të cilin ja la amanet të birit, ndërsa gardianët i shtrëngonin prangat në sallën e gjyqit. Berishën e takoi të fundit.

Prej gjithë këtyre takimeve, kokë më kokë, Nano ka garantuar përkrahje të dukshme votash nga Shpëtim Idrizi, si dhe nga Vangjel Dule.

Finalja e lojës së votave me të tjerët mbetet e padeshifruar. Për këtë arsye fati i ardhshëm i të vetëdeklaruarit si kandidat për President konsensual ende nuk dihet saktësisht. Ndaj dhe këmbana e debatuesve nuk bie më për qënien apo mosqënien e Fatos Nanos kandidaturë presidenciale, por nëse ja vlen apo nuk ia vlen që ai të jetë në postin e lartë të kreut të shtetit, kaq vite pas vetëtërheqjes nga politika dhe kalimit të pjesës më të madhe të jetës në kryeqytetin e Austrisë?

Dhënia e përgjigjes është strumbullari rreth të cilit vërtiten debatet e palëve që pikëbashkohen tek dyshimi nëse një Nano president mund të jetë vërtetë mbi palët politike. Domethënë jashtë interesave e pazareve.

A e meriton Fatos Nano qënien President i vendit? Gjykuar nga produkti që ka nxjerrë qënia e tij kryeministër i vendit, post nga ku u rrëzuar në pas zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të mbajtur në mesvitin 2005,përgjigja vjen dekurajuese.Nga që  krizat, përplasjet politike, korrupsioni zyrtarë etj., lulëzuan si kurrë ndonjëherë, ndërsa papërgjegjshmëria kryeministrore e vaditur me “Xhin” u shndërrua në proverbiale. Por periudhën e qënies së Fatos Nanos kryeministër e gjen të analizuar edhe nga Ismail Kadare. Nga njeriu i madh i letrave,i painfektuar prej mediokritetit dhe virusit të shitjes së vetvetes për përfitime meskine.

Në librin e tij më të fundit,”Mosmarrëveshja”,( botuar nga Onufri/2011),tejqyra kadarejane e sheh ish kryeministrin Fatos Nano, jo në hollësitë veset e rëndomta, që ai mbart, por në thelbin karakterial. Në raportin që ky  “burrë shteti” ka patur (dhe sigurisht ka), me atdheun. Rrjedhimisht me bashkëatdhetarët, me kombin… Raport ky, aq më tepër i domosdoshëm, për tu analizuar kur bëhet fjalë për qënien i pari i shtetit. Një post që e ka detyrim kushtetues përgjegjësinë ndaj atdheut, kombit e popullit.

Në faqet 177,178, të librit, tek analizon fatin e keq shqiptar të ardhur, më së shumti prej mosmarrëveshjes midis veti, ndërsa bën një përqasje të paskomunizmit me historinë e shkuar, Ismail Kadare, e shënon nanoizmin si një sjellje të pamoralshme në raport me atdheun.

“…Ndërkaq, përsa i përket krimit shoqëror, politik apo moral, ashtu si krimeve kundër kombit, gjer tek ata kundër njerëzimit, ndërprerje të tilla,për fat të keq nuk ka pasur e me sa duket nuk do kishte kurrë. Do të donim apo jo, ne do të gjendeshim kështu përballë tmerrit shoqëror, krejt të vetmuar,pa ndihmën e natyrës. Në sytë tanë do të shpaloseshin cinizmi dhe shpërfillja e kastës politike, mosmarrja seriozisht e shtetit dhe e kombit, çka do të çonte tek shkelja e çdo morali, tek lidhja e zgjidhja e aleancave të paprincipta, te tribalizmi, hedonizmi, pokerizmi në politikë e në jetë, gjersa përshkallëzimi i së keqes të arrinte një kulm të ri: Talljen me Shqipërinë. Dukuria e talljes(e kurorës me gjëmba, në historinë e Krishtit, pas së cilës do të vinte vrasja), ka qenë e fshehur me kujdes në Shqipëri. Shpallja për herë të parë e saj nëpërmjet nanoizmit, ishte një nga ngjarjet më të zeza në kronikën shqiptare. Guximi për ta shpallur, madje synimi për estetizimin e saj përbën një test, një kapërcim pragu. Ishte një gjëndje e vështirë për tu shpjeguar, një krusmë e vërtetë, që lidhej, mesa dukej, me raportet kundërthënëse të njeriut me kombin e vet…”, thekson, ndër të tjera,  Ismail Kadare, që, në pjesën përmbyllëse të librit, faqe 257, ndërsa jep shpjegime të mëtejshme rreth këtij koncepti shënon:

“Së paku njëri nga kryeministrat e Shqipërisë dhe,së paku, njeri prej ministrave të Jashtëm të saj, pas rënies së komunizmit, kanë luajtur shumë herë kumar, në kazino të huaja. Bixhozi në mjedise publike,ku identiteti i lojtarit është detyrimisht i njohur, vetvetiu e tejçonte fytyrën morale jo të lakmueshme të çdo zyrtari kumarxhi, te vëndi që ai përfaqësonte, në këtë rast te Shqipëria e ngratë, që kishte vuajtur shpesh e ndoshta pa të drejtë, nga përçmimi i të tjerëve. Loja e kumarit në mjedise të huaja publike, në sytë e gjithfarë spiunëve, zbuluesve, përgjuesve e mafiozëve që gëlojnë zakonisht në mjedise të tilla,ishte një poshtërim,në mos më keq, një shpallje, qoftë dhe e pavetëdijshme,për shitje të shpirtit tënd dhe,nëpërmjet teje,atij të kombit tënd”.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel