KQZ-ja, reforma në fije të perit

13/05/2012 00:00

Dy ditët në vazhdim do të jenë përcaktuese për suksesin ose dështimin përfundimtar të reformës zgjedhore.

Dy ditët janë përcaktuese sepse më 15 maj Komisionit të Reformës Zgjedhore i skadon mandati i dhënë nga Parlamenti dhe siç kanë rrjedhur ngjarjet këtë fundjavë, suksesi që do të thotë kompromis, nuk duket të jetë opsioni më i afërt.

Ngërçi i parë, por që duket i kapërcyeshëm, është rishikimi edhe një herë i dy kapitujve shumë të rëndësishëm për përdorimin e teknologjive në zgjedhje. Ekspertët e ODIHR-it rrëzuan përdorimin e lexuesit të kartës së identitetit gjatë votimit dhe numërimin elektronik të votave.

Këto propozime të Partisë Socialiste, të cilat u miratuan me konsensusin e Partisë Demokratike pak ditë më parë, u cilësuan nga ekspertët e ODIHR-it si të nxituara, të pasigurta dhe të paqëndrueshme. Ekspertët e ODIHR-it shprehën mendimin se përdorimi i teknologjive në zgjedhjet e vitit 2013 është i parealizueshëm menjëherë në të gjithë vendin dhe se për shkak të paqartësive ai nuk rrit besimin tek procesi zgjedhor. Por, ndërsa dy partitë e mëdha kanë pozicione të afërta për t’iu rikthyer edhe një herë procedurave për numërimin me dorë të votave, mes tyre është shfaqur ngërçi i dytë, i cili duket të jetë ai më i vështiri për t’u kapërcyer gjatë dy ditëve në vijim.

Në takimin me eskpertët e ODIHR-it, Partia Socialiste ka propozuar të ndryshohet vetëm mënyra se nga propozohet anëtari i shtatë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke lënë të pandryshuar formulën aktuale të propozimit nga partitë të 6 anëtarëve të tjerë që i përkasin 3 qeverisë dhe 3 opozitës. I shtati, ai që përcakton se kush do të ketë shumicën në KQZ, sipas Partisë Socialiste nuk duhet të propozohet më nga partitë, por nga 4 organizma: Avokati i Popullit, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Dhoma e Avokatëve, sipas propozimit të Partisë Socialiste legjitimohen t’i çojnë Parlamentit nga dy kandidatë, pra 8 gjithsej dhe pasi partitë e mëdha të zgjedhin vetëm dy prej tyre, ata të hidhen për votim në Parlament.

Partia Demokratike nuk ka një propozim të vetin sepse deri tani ia ka lënë socialistëve sjelljen e formulimeve për ndryshimin e Kodit. Por këtë propozim ata e kanë cilësuar si të papranueshëm dhe që nuk sjell risi për rritjen e besueshmërisë te KQZ-ja.

Bisedimet janë mbyllur pa asnjë kompromis dhe ekspertët e ODIHR-it që kanë dëgjuar palët nuk kanë mbajtur një qëndrim sesi mund të zbatohet rekomandimi i tyre i bërë në raportin për zgjedhjet e vitit të kaluar.

Ky është rekomandimi 3, ku thuhet se “Formula për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të rishqyrtohet, me qëllim për të rritur besimin në pavarësinë e tij dhe zbatimin e paanshëm të Kodit Zgjedhor nga ana KQZ-së”.

Top Channel kontaktoi të dyja palët e përfshira në Reformën Zgjedhore. Bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri, deklaroi se “rekomandimi për KQZ-në është prioritar për Partinë Socialiste dhe se kërkon vullnet politik për t’u realizuar”.

Pohimi tjetër shumë i rëndësishëm që zoti Gjiknuri bëri për Top Channel është se “pa rikompozimin e KQZ-së, opozita nuk do të miratojë në Parlament asnjë prej amendamenteve të Reformës Zgjedhore”, amendamente që deri tani janë miratuar me konsensus në komision.

Nga ana tjetër, eksperti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, deklaroi për Top Channel se “Partia Demokratike është e gatshme në çdo kohë të japë pëlqimin e saj për trajtimin e rekomandimit të ODIHR-it që do të sigurojë një KQZ me mbështetje dhe konsensus po aq të gjerë sa edhe në vitin 2008.

Partia Demokratike thotë se “ky rekomandim është arsyeja e parë pse ajo refuzon formulimin e paraqitur”, që sipas demokratëve “nuk siguron zbatimin e rekomandimit të ODIHR-it” dhe arsyeja e dytë, siç thonë demokratë,t është se “reformat nuk bëhen me ultimatume, por me shpirt kompromisi”.

Këto qëndrime diametralisht të kundërta e kanë shndërruar formulën për KQZ në thembrën e Akilit për jetëgjatësinë e vetë Reformës Zgjedhore, nga përfundimi i të cilës varen në mënyrë të konsiderueshme shpresat për të marrë ose jo këtë vit statusin e vendit kandidat.

Top Channel