Serbia përgatitet për zgjedhje në Kosovë

19/04/2012 17:20

Autoriteti që po merret me organizimin e zgjedhjeve në Serbi, njoftoi se ka nisur procesi i dërgimit në Kosovë të materialeve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Këtë konfirmoi sekretari i Komisionit Zgjedhor serb, Veljko Odaloviç. Ai tha se materialet do të vendosen në ato zona ku garantohet siguria e votuesve dhe e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

“Qendrat e votimit do të hapen në ato zona ku do të na garantohet siguria e votuesve dhe e materialit zgjedhor”, tha Odaloviç për agjencinë e lajmeve Tanjug.

Serbët janë thirrur për një votim të trefishtë më datën 6 maj, ku duhet të zgjedhin presidentin e vendit, përfaqësuesit ligjorë në parlamen si dhe drejtuesit lokalë. Për dy votimet e para mund të shprehin vullnetin e tyre edhe serbët e Kosovës, ndërsa për zgjedhjet lokale, Prishtina ka refuzuar mbajtjen e tyre në territorin e saj, ashtu sikundër edhe faktori ndërkombëtar.

Presioni i këtij të fundit, tërhoqi Beogradin nga mbajtja e zgjedhjeve vendore në Kosovë, ndërsa zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale do të mbahen sipas marrëveshjeve ndërkombëtare që Prishtina respekton.

Top Channel