Me një ceremoni modeste, në prani të familjarëve të ish-Presidentit të
Kosovës Ibrahim Rugova, është vënë emri i ri për rrugën, që deri më tani
mbante emrin “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.

Sipas kryebashkiakut Lulzim Basha, ky ishte propozim i kryeministrit, që u paraqit në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak dhe mori miratimin e shumicës.

“Qytetarët e Tiranës, dhe unë personalisht jemi të nderuar që nga sot një prej rrugëve kryesore të kryeqytetit tonë do të mbajë emrin e nderuar të presidentit Rugova, emër që i bën nder çdo qyteti shqiptar”, tha Basha.

Kryeministri Berisha vlerësoi figuren e Ibrahim Rugoves, si arkitektin e Kosoves së pavarur.

“Faleminderit presidenti Ibrahim Rugova, për gjithçka bëtë për çdo shqiptar. Kudo që ndodhen sot përkulen me nderim të madh para jush!”, tha Berisha.

Kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa falenderoi autoritetet shqiptare për këtë nismë, në një ditë të rëndësishme si kjo e 17 shkurtit, që shënon 4-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Rrëmuja me emërtimet e rrugëve

Në fakt, kjo do të jetë rruga e dytë në Tiranë që mban emrin e ish-presidentit kosovar. Një tjetër rrugë, e rikonstruktuar e asfaltuar, madje e pajisur edhe me tabelën orientuese, mban po këtë emër në zonën e ish-parkut, në njësinë bashkiake numër 7.

Bashkia e Tiranës shprehet se në vendimin e Këshillit Bashkiak thuhet se, pas vendosjes së emrit Ibrahim Rugova në vend të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, ky emërtim në territorin e njësisë bashkiake numër 7 revokohet.

Në pikën tre të këtij vendimi shkruhet: “Ngarkohet Drejtoria e përgjithsme e politikave të zhvillimit dhe promovimit të qytetit, si dhe drejtoria e planifikimit të territorit, për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi 10 ditë pas shpalljes”.

Por, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj, emërtimi nuk është hequr. Kryetari i njësisë bashkiake numër 7, Erjon Koka, që administron territorin ku ndodhet kjo rrugë, thotë se nuk është vënë në dijeni për këtë vendim të marrë më 28 dhjetor 2011.

“Unë kam marrë pjesë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, ku edhe është diskutuar një gjë e tillë. Unë kam tentuar disa herë që të marr fjalën, kryetari i Këshillit nuk më ka lejuar që të flas në mbledhjen e Këshillit. Nëqoftëse do t’i vendosësh një rruge një emër, më parë duhet të kontrollosh nëse ekziston një emër i tillë, mos të ketë përplasje të tilla, sepse nuk jemi seriozë. Nëse do t’i vendosësh kësaj rruge emrin, atëherë shiko dhe duhet t’ia heqësh emrin rrugës tjetër. Këtë kam kërkuar unë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Praktikisht ne kemi dy rrugë me emrin e Ibrahim Rugovës, në mes të qytetit të Tiranës”, shpjegon Koka.

Ndonëse zyrtarisht vetëm një rrugë mban emrin e ish-presidentit të Kosovës, pas përurimit të rrugës së re në kryeqytet, deri të premten paradite ekzistonin dy rrugë në Tiranë që mbanin emrin e tij.

Tiranë, inaugurohet ambasada e re e Kosovës

Në një ceremoni ku ishin të pranishëm vetëm zyrtarë të qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, kryeministrat Berisha dhe Thaci përuruan godinën e ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Godina është dhuratë e qeverisë së Shqipërisë për qeverinë e Kosovës.

“Dhurata më e bukur që na është bërë në këtë 4 vjetor të Pavarësisë. Kjo ambasadë është urë lidhëse, forcim e fuqizim i punës të institucioneve kosovare dhe Shipërisë. Ne jemi një komb dy shtete” tha Thaçi.

Në të njëjtën linjë ishte edhe kryeministri Berisha. Sipas tij, ambasada e Kosovës në Tiranë, por edhe ambasada e Shqipërisë në Prishtinë kanë një funksion të dyfishtë.

“Ambasadat kanë mision forcimin e pozitës ndërkombëtare të të dy vendeve tona, por edhe kapërcimin e pasojave të ndarjes, kufizimeve dhe bllokimeve të pamerituara”, tha Berisha.

Festimet vijuan më pas me një pritje të shtruar nga ambasada e Kosovës, ku të dy kryeministrat që e morën fjalën folën për vokacion europian të të dy vendeve dhe demokratizimin që pësoi rajoni nga pavarësimi i Kosovës 4 vjet më parë.

Në pritje ishin të pranishëm përvec dy kryeministrave, kryetarja e Kuvendit Topalli, ministra të të dy qeverive, ish-kryeministra, kryetarë partish politike, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të komuniteteve fetare, etj. Ra në sy mungesa e Presidentit të Republikës Bamir Topi.

Top Channel