Nga “Vallja e shpatave” te “Tangoja e integrimit”

07/02/2012 00:00

Geron Kamberi – Ndoshta gotat e shampanjës do të trokiten pak më me ndrojtje dhe
entuziazëm më 25 mars të vitit 2012 në përkujtim të përvjetorit të 55-të
Traktatit të Romës që hodhi themelet e Komunitetit Ekonomik Europian.

Pavarësisht krizës së sotme të eurozonës, askush nuk do ta kishte menduar atëherë se 6 vendeve themeluese do t’u qëndronin në krah pas 55 vjetëve edhe 21 vende të tjera europiane nga Perëndimi në Lindje që iu bashkuan këtij projekti vit pas viti. Ai që nisi fillimisht si përpjekje për të pajtuar Gjermaninë dhe Francën, u shndërrua në një magnet tërheqës për paqen dhe mirëqenien afatgjatë të mbarë kontinentit.

Në të njëjtin vit kur niste ky rrugëtim i gjatë dhe i ndryshëm i Europës drejt diçkaje të re, Shqipëria ishte e përfshirë gjeografikisht në juglindje të saj, por i përkiste një hapësire tjetër politike dhe ekonomike që do të emërtohej si lindja komuniste e Europës. Si për ironi të fatit, përballë universiteteve me moshë qindravjeçare të Europës, ajo përjetonte atë vit jo vetëm komunizmin, por edhe lindjen e universitetit të parë, çka dëshmonte se vonesat e saj të historisë nuk ishin vetëm rastësi sistemesh.

Ndërkohë, një vit më parë, Shqipëria kishte dështuar me “sukses” të gërvishte sadopak kultin e individit në një konferencë të komunistëve shqiptarë e njohur si Konferenca e famshme e Tiranës e vitit 1956, një jehonë e zbehtë e Kongresit XX të ish–BS. Në të vërtetë vendi do ta shihte Europën deri në vitet ‘90 përmes syve dhe ideve të një individi, i cili me të njëjtën qetësi që kishte “prerë” kokat e kundërshtarëve, priste edhe shiritin e universitetit të parë shqiptar një vit më pas. Shprehja se “roli i individit në histori është i pazëvendësueshëm” përmban një të vërtetë, por në rastin e Shqipërisë ajo vazhdon t’i përngjajë atij mallkimit kinez “Jetofsh në kohë interesante”. Dhe për Shqipërinë këto “kohë interesante” në raport me përpjekjet e saj për t’iu afruar Europës shpesh duket sikur nuk mbarojnë, por përsëriten në forma të ndryshme.

Në mes të një sanduiçi interesant vendesh fqinje, ku nga njëra anë ishin dy vende anëtare të BE-së si Italia dhe Greqia dhe, nga ana tjetër, një federatë republikash sllave e “paangazhuar”, Shqipëria mbërriti në pragvitet ‘90 të përmbysjes së komunizmit me thirrjet e të rinjve “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. Ky “rikthim në Europë” nuk ngjante edhe aq me ngazëllimin e ish–presidentit Havel kur u referohej vlerave, por ishte më shumë një shfrim për lirinë që po vinte përmes Europës së shndritshme të konsumit që kishte munguar prej dekadash në Shqipëri. Ngasja e ëndrrës së bollëkut e mirëqenies së Europës në “derë të shtëpisë” u shndërrua në një legjendë urbane afatesh, ku dëshirat e papërmbajtura të të rinjve dhe shqiptarëve filluan të ofrojnë parashikime se për 5, 10 apo deri në 15 vjet “Shqipëria është në Europë!”

Ashtu si koncepti i “dy shpejtësive të integrimit” që ka shoqëruar shtetet e Europës drejt këtij procesi, edhe Shqipëria ka ecur drejt Europës gjatë këtyre 20 viteve të tranzicionit të saj mes dy shpejtësive të ndryshme. Njëra ishte shpejtësia drejt Europës së konsumit, kënaqësive, veshjeve, mallrave, makinave, celularëve, shtëpive të bollshme (me leje dhe pa leje) dhe gjithë atyre kënaqësive që kishin kaluar shkarazi nëpër ekranet e televizionit. Shpejtësia tjetër lidhej me rendjen drejt vlerave të tilla europiane si demokracia, qeverisja e mirë, zgjedhjet e lira, ndjenja e protestës, shtypi i lirë etj. Ashtu si në një rrugë me dy korsi paralele të gjithë pothuajse rendën të hynë në korsinë e shpejtësisë që të çonte tek Europa e luksit me çdo kusht dhe çmim pa hedhur kokën pas se ç’ndodhte me shpejtësinë e makinës që ecte në korsinë tjetër, por që kishin të njëjtën pikëmbërritje.

Përpos “keqkuptimit historik” me rrugët e shpejtësitë që të sjellin brenda BE-së, Shqipëria do të mbarte me shpinë sikur vendet e tjera të rajonit edhe “gungën” e Maleve Ballkan. Për ironi të historisë, Malet Ballkan të Bullgarisë që i dhanë emrin gadishullit tonë, ndodhen në një shtet të rajonit, si Bullgaria që tashmë është vend i BE-së, pavarësisht se edhe ai nuk arrin të shkëputet prej “ballkanizmave” që i shfaqen në politikë, ekonomi etj. Vetë Europa është një tërësi gadishujsh të tillë si Apenin, Iberik, Skandinav, ku secili prej tyre ka shënjuar historinë e marrëdhënieve të anëtarësimit në BE në forma të ndryshme, por askush si vendet e mbetura të gadishullit Ballkanik nuk ka përjetuar stërmundimin për t’iu afruar Europës. Në librin Ballkani Imagjinar: Ballkani si alterego e Europës (1997) historiania e njohur Maria Todorova vërente mes të tjerave se “një fantazmë po vërtitet në kulturën perëndimore – fantazma e Ballkanit”. Pragu i nënshkrimit të Traktatit të Mastrihtit të vitit ’91, që do të fuste në përdorim termin Bashkim Europian, si dëshmi e thellimit të integrimit, sikur i dha të drejtë këtij përcaktimi teksa ish-Republikat e Federatës Jugosllave do ta kthenin në makth etnik e lumenj gjaku procesin e shpërbërjes në republika të pavarura. Edhe Shqipëria u bë pjesë e një formule matematike gjeografike në fjalorin e Brukselit që do ta quante Ballkanin Perëndimor (5 -1 + 1), ku Sllovenia do t’u ikte republikave të atëhershme të ish-Jugosllavisë si Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Serbia e Mali i Zi për t’iu bashkuar grupit të vendeve të EQL (Europës Qendrore e Lindore) drejt BE-së së bashku me Bullgarinë e Rumaninë. Përpjekja e BE-së për ta shkëputur Shqipërinë nga kjo “aritmetikë rajonale” përmes një marrëveshjeje “sui generis asocimi” u shkërmoq nën “rrotat e makinës”, që kishin marrë formën e piramidave financiare në “korsinë” e mësipërme të konsumit e pasurimit, ku shqiptarët po ecnin me shpejtësi dhe që u “përplas” me makinën tjetër të zgjedhjeve të lira që kishte ngecur pa lëvizur në “korsinë” tjetër dhe që mezi po ndizet.

Ndonëse shansi i Ballkanit Perëndimor në raport me BE-në do të shfaqej në formën e Procesit të Stabilizim & Asocimit në fillim të viteve 2000, ai sërish mbarte në emërtimin e tij tragjedi-komedinë e integrimit për këtë rajon, ku makthi i stabiliteti tashmë do të merrte herë formën e konfliktit etnik, herë të sigurisë së brendshme apo edhe të paqëndrueshmërisë politike. Në këtë rinisje drejt Europës, Kroacia për afro 10 vjet mbërriti në dyert e BE-së si për të treguar se BE-ja nuk është e lodhur nga zgjerimi, por nga zgjerimi i “fantazmave të Ballkanit” që përmend Teodorova dhe që enden në forma të ndryshme te vendet e mundshme kandidate të këtij rajoni. Kjo fantazmë vazhdon ende të ndjekë Serbinë që i shfaqet në formën e Kosovës, Maqedonisë në formën e monumenteve të Aleksandrit, Bosnjën në formën e gjysmështeteve që grinden dhe Kosovën me paqëndrueshmërinë e shtetit të ri. Si për të treguar veçantinë e kahershme të Shqipërisë, “fantazmat e grindjeve etnike” të vendeve të tjera të rajonit në Shqipëri kanë marrë formën e grindjeve mes “etnive politike” që janë kthyer në “zgjedhë” për procesin e integrimit, zhvillimin e zgjedhjeve të lira politike.

Parashikimet janë gjithnjë të rrezikshme, por ajo që dimë me siguri është se në verën e vitit 2013, kur Kroacia do të jetë shteti i parë i Procesit të Stabilizim–Asocimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor që do t’u bashkohet 27 vendeve të tjera të BE-së, BE-ja pritet të përkujtojë 20-vjetorin e Kritereve të Kopenhagës për ish-vendet komuniste, ndërsa Shqipëria do të jetë në fushatën elektorale të zgjedhjeve të vitit 2013. Secili rreket të shpresojë dhe besojë se më së fundi këto zgjedhje mund të heqin nga fjalori politik “sindromën tango” të zgjedhjeve shqiptare: 1 hap para, 2 hapa prapa.

Si për të na rikujtuar rëndësinë e Kritereve të Kopenhagës të BE-së vitit ‘93, 6-mujori i parë i vitit 2012 përkon me presidencën daneze. Brenda kësaj presidence, Shqipëria pritet të përkujtojë në maj të këtij edhe 20-vjetorin e marrëveshjes së parë me BE-në, që shënoi fillimin e një rrugëtimi të gjatë që vazhdon ende. Jo rastësisht krahasimet e ambasadorit danez në Shqipëri lidhur me kaosin e trafikut në rrugët tona veçse na kujtojnë se nuk mund të shkojmë për aty ku jemi nisur duke shkelur “rregullat” që simbolikisht mbajnë emrin e kryeqytetit të vendit që ai përfaqëson. Liria e lëvizjes në vendet e zonës Shengen duket sikur i çliroi shqiptarët nga ankthi i “mureve”, por Shqipëria me “cenet” e demokracisë së saj nuk ka përse ta shfaqë veten si “Ballkani i Ballkanit”, për sa kohë njerëzit zotërojnë dëshirën që të prekin edhe liritë e tjera të BE-së.

Sipas mitologjisë greke, Pandora kur hapi kutinë e saj dhe nxori andej gjithë prapësitë, la aty vetëm shpresën. Në të vërtetë vetëm ajo nuk do të mjaftonte që Shqipëria të besonte te thënia “e treta e vërteta” pas mosmiratimit dy herë nga ana e BE-së të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Këtij mosbesimi duket sikur i bashkëngjitet edhe ritmi me të cilën kalon elita politike nga “vallja e shpatave” tek “tangoja e integrimit” dhe anasjelltas, shpesh në mënyrë marramendëse dhe të pakuptueshme.

Megjithatë ecja e stërmunduar e Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve drejt procesit të integrimit në BE, ndonëse ka lënë pas plot mundësi të humbura, është ende një lëvizje drejt shpresës. Në këtë rast jo për të na kujtuar se ajo vdes e fundit, por për të mos e lënë që të vdesë. (Kjo ese u botua fillimisht në uebsajtin e Institutit Shqiptar të Medias)

Gazeta “Shqip”

Top Channel