Presidenti Topi pret Beçiroviç

15/12/2011 19:55

Në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Denis Beçiroviç, u prit nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.

Kryetari i Shtetit shqiptar dhe Kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës, Beçiroviç në këtë takim vlerësuan marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve, duke vënë në dukje vullnetin politik të palëve për forcimin e mëtejshëm të tyre edhe nëpërmjet shtimit të kontakteve, vizitave dhe takimeve të nivelit të lartë.

Presidenti Topi dhe zoti Beçiroviç shprehën gjithashtu interesin për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, turizmit, infrastrukturës, shkëmbimeve tregtare, kulturës, etj. Presidenti Topi vuri në dukje se, në këtë kuadër, ne do të mirëprisnim edhe hapjen e Ambasadës së Bosnje-Hercegovinës në Tiranë, ç’ka do të ndikonte në nxitjen e mëtejshme të bashkëpunimit midis dy vendeve.

Gjatë bisedës, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e procesit të integrimit europian të të gjitha vendeve të rajonit ballkanik. Kryetari i shtetit shqiptar shprehu dhe interesin e palës shqiptare për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve në të dy vendet mike.

Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Bosnje- Hercegovinës, Denis Beçiroviç, falënderoi Presidentin e Republikës për pritjen dhe vuri në dukje se kjo vizitë në Shqipëri konsiderohet me mjaft interes në kuadrin e angazhimit të shtetit boshnjak për zhvillimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh mes Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë në fusha me interes të ndërsjellë.

Top Channel