Haxhinasto në Kor. e Jugut: Forcim i bashkëpunimit

23/11/2011 00:00

Numri dy i qeverisë shqiptare, njëkohësisht edhe ministër i Punëve të
Jashtme, Edmond Haxhinasto ndodhet për një vizitë në Korenë e Jugut, ku
vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve dhe siguroi palën
koreane për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për t’i forcuar dhe
zhvilluar ato edhe më tej në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes
të ndërsjellë.

Gjatë takimit me homologun Kim Sung-hwan, bashkëbiseduesit vunë theksin mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare, si dhe mbi zhvillimet në rajonet respektive.

Ministri Kim Sung-hwan shprehu interes mbi portet detare në Shqipëri dhe në përgjithësi për infrastrukturën e transportit në Shqipëri dhe rajon.

“Duke patur parasysh se çdo vit janë rreth 15 milion turistë koreanë, një pjesë e të cilëve kanë Evropën si destinacion turistik, madje edhe vende afër Shqipërisë, futja e Shqipërisë në itineraret e tyre turistike duhet të jetë pjesë e agjendës sonë të përbashkët”, tha Kim Sung-hwan.

Në takim, Haxhinasto i shprehu mirënjohjen Koresë së Jugut për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar që të dy vendet të bashkëpunojnë që të ndihmojnë dhe asistojnë këtë shtet të ri në Ballkan për përparim dhe zhvillim ekonomik, si dhe të bëhet pjesë e organizatave rajonale dhe familjes ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit në Korenë e Jugut, Haxhinasto u takua me deputetë, si dhe me presidentin e Agjencisë koreane të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Park Dae-won.

Top Channel