Basha: Ndërhyrja në shesh, 2,5 mln euro

10/11/2011 20:40

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u vendos nën akuzën e këshilltarëve të majtë për punimet që kanë dëmtuar planin fillestar për sheshin “Skëndërbej”, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, mbrëmjen e së enjtes.

Pasi socialistët i kërkuan që të paraqesë faturën financiare të të gjithë punimeve, Basha u shpresh se: “Punimet e kryera i kanë respektuar investimet e mëparshme, të cilat mbeten funksionale edhe me ndryshimet e kryera”.

Përsa i përket shpenzimeve për devijimin nga plani, Basha pranoi shifrat e publikuara më pare nga “Top-Channel”, duke u shprehur: “Nën administratën time asnjë faturë nuk do të mbahet e fshehtë. Kërkoni faturë? Shumë shpejt do ta keni edhe në internet, por ndërkohë, mund t’iu paralajmëroj se ajo do të jetë midis 2,4-2,6 milion euro. Kishim një problem me trafikun që kërkonte një zgjidhje të menjëhershme, por që nuk është përfundimtare. Në këtë këshill, duhet të ulemi dhe të vendosim se çfarë do të bëjmë për të zgjidhur çështjen e trafikut rrugor. Kjo nuk përjashton që sheshi të mbetet vetëm për këmbësorë siç ishte planifikuar, por kryesorja është të ulemi dhe të vendosemi bashkarisht si do të zgjidhim problemin e trafikut”.

Basha: Miratojmë një plan urbanistik

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjithashtu mbrojti domosdoshmërinë e miratimit të një plani urbanistik, i cili sipas tij nuk ka ekzistuar kurrë.

Duke folur në Këshillin Bashkiak gjatë pasdites së të enjtes, Basha argumentoi se: “Në të shkuarën ka patur projekte, ka patur konsulentë, por asnjëherë një plan të miratuar urbanistik të qytetit. Një pjesë e konsulentëve nuk janë paguar dhe i takon administratës së shkuar të tregojë nëse nuk kanë qenë e bindur për cilësinë e punës apo diçkaje tjetër. Megjithatë, kjo i përket të shkuarës dhe tani është e rëndësishme të bashkohemi për të parë përpara”.

Përballë oponencës së këshilltarëve socialistë, Basha shtoi: “Bindjen politike do të vazhdojnë të na ndajnë, por ajo që duhet të na bashkojë është shërbimi që qytetarët na kanë zgjedhur për t’i bërë. Mungesa e planit urbanistik është ajo që shkakton probleme, që nga dera e shtëpisë e deri në qendër. Ai është i domosdoshëm për fëmijët, të moshuarit, për ata që zgjedhin të përdorin transportin publik, për ata që duan të kenë shkolla më afër, rrugë më të gjerë dhe me ndriçim, më shumë gjelbërim, pra një jetë më të mirë në të gjithë drejtimet”.

Nga ana e tyre, këshilltarët socialistë protestuan duke thënë se janë shpenzuar dy milion dollarë për një plan që tashmë është miratuar, por është bllokuar nga instanca më të larta. “Kush do të përgjigjet për dy milion eurot dhe punimet që janë bërë në kuadër të këtij plani?”, pyetën socialistët.

Përballë këmbënguljes së përsëritur, Basha ripërsëriti se Tirana nuk ka asnjë plan urbanistik të miratuar, prandaj është administrata e re ajo që duhet të çojë përpara projektin.

Top Channel