Shteti, “luftë” me CEZ-in

04/11/2011 08:20

Ministria e Ekonomisë është e vendosur të çojë deri në fund betejën e nisur me një prej kompanive më të fuqishme në vend, “CEZ Shpërndarje”, informoi mëngjesin e së premtes e përditshmja “Shqip”.

Pas gjobës së parë prej 250 mijë eurosh, lëshuar javën e kaluar, Ministria ndërmori një tjetër vendim dje, duke gjobitur kompaninë me 500 mijë euro të tjera. Shkaku i penalizimeve të paprecedentë lidhet me matësit e energjisë elektrike, që sipas METE-s nuk janë të kolauduar, punojnë në mënyrë abuzive dhe nuk përputhen me standardet.

Ministria thotë që ditët e fundit janë shtuar shumë ankesat e qytetarëve sa i takon matjes së energjisë dhe për këtë shkak, duke nisur edhe nga mosreagimi i kompanisë për të zgjidhur problemin, vendosi të mbronte konsumatorët duke gjobitur CEZ-in.

Por, kompania çeke jep një tjetër argument që lidhet me interesat e biznesit privat, pranë qeverisë. Sipas CEZ, METE kërkon që kompania e shpërndarjes së energjisë të lidhë kontratë me një shoqëri private për realizimin e shërbimit të kolaudimit të sahateve.

Ky “konflikt”, që në plan të parë duket se bëhet për mbrojtjen e konsumatorëve, por që i shtrin rrënjët tek interesat private, po rëndohet çdo ditë, në kushtet kur palët janë duke diskutuar mbi vendosjen e tarifave të reja të energjisë. Për gjobën e parë, CEZ u shpreh se ishte tejet i befasuar, ndërsa për të dytën nuk ka reaguar ende.

Gjoba e parë
Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës e lëshoi gjobën e parë prej 250 mijë eurosh për CEZ-in javën e kaluar, nisur nga rekomandimet e dhëna të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, sipas së cilës “në treg janë futur matës (sahate) të paverifikuar përpara përdorimit dhe moszbatimit të ligjit për bashkëvulosjen e aparatit matës”.

Burime nga DPM deklarojnë se edhe pas takimeve të shumta me përfaqësues të CEZ-it, nuk është marrë asnjë masë nga këta të fundit. Paralajmërimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është i qartë: Nëse CEZ nuk merr masa të shpejta dhe të menjëhershme për rregullimin e situatës dhe zbatimin e ligjit, penalizimet nga METE do të vijojnë edhe më të forta. Dhe në fakt ndëshkimi nuk vonoi, përkundrazi ishte më i rëndë.

Gjoba e dytë
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi dje një gjobë të re për kompaninë “CEZ Shpërndarje”, në shumën e 500 mijë eurove. “Kjo masë erdhi vetëm një javë pas gjobës së parë, prej 30 milionë lekësh të reja, vendosur për ‘CEZ Shpërndarjen’ nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë”.

Mësohet se DPM-ja, në vijim të kontrolleve pas ankesave të qytetarëve shqiptarë, ka vërejtur shkelje dhe abuzime të shumta të kompanisë CEZ për sa u takon vënies së sahateve. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë shprehen të vendosura në mbrojtjen e konsumatorëve shqiptarëve, duke paralajmëruar masa të reja nëse kompania “CEZ Shpërndarje” nuk zbaton ligjin.

Reagimi
“Kompania është në proces intensiv diskutimesh me Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë (DPM) dhe ERE-n në lidhje me disa çështje që lidhen me zbatueshmërinë praktike të amendamenteve të fundit të hyra në fuqi më 25 janar 2011, të cilat e detyrojnë ‘CEZ Shpërndarje’ të bëjë verifikimin të matësve të saj përmes një pale të tretë të licencuar nga DPM”, ishte reagimi i parë dhe i fundit i CEZ, lëshuar një javë më parë, por që qëndron ende në “fuqi”.

Këto amendamente detyrojnë ERE-n të miratojë një kontratë tip që duhet firmosur mes “CEZ Shpërndarje” dhe subjektit të licencuar, por që nga kompania konsiderohen jo në përputhje me ligjin, si e njëanshme dhe në cënim të parimeve të konkurrencës dhe verifikimit të drejte të matësve dhe se i sjell kosto shoqërisë, të cilat nuk i janë njohur ende nga ERE.

Prapaskenat, gjyqet e humbura të CEZ dhe ankesat e rrëzuara nga ERE

Kompania çeke, CEZ, me të ardhura vjetore mbi 2.5 miliardë euro, shikohet nga shumë subjekte si dhe nga qeveria si një aset me shumë vlerë, ku çdokush mund të përfitojë. Duket qartë nga sulmet e ndryshme ndaj kompanisë nga shumë drejtime, sikurse kompania ka humbur apo i ka të zvarritura disa çështje në gjykatë. E fundit çështje është regjistruar pak ditë më parë dhe që lidhet me konfliktin për matjen e energjisë elektrike (dy gjobat e vendosura).

Kompania nuk i ka punët mirë as me Entin Rregullator, ku shumë ankesa të saj janë rrëzuar, duke krijuar një situatë të nderë dhe aspak pozitive për një investitor strategjik. Një prej drejtuesve të CEZ-it në Çeki, pati deklaruar për mediat shqiptare në Pragë se nëse punët tona ecin keq apo nëse sulmohemi pa shkak, atëherë të gjitha këto janë shenja negative, që ndikojnë edhe në krijimin e imazhit për Shqipërinë tek investitorët.

Në tre vite, kompania ka investuar mbi 70 milionë euro dhe të tjera planifikon të investojë, por drejtuesit e saj paralajmërojnë se nëse situata vijon të jetë e tillë, vështirë se hedhin ndonjë cent për përmirësimin e rrjetit apo shërbimit.

“Virusi” i gjobave ka prekur edhe të tjera kompani, si “Albtelecom”, që rrezikon të ndëshkohet me 1 milion USD, për shkak “se nuk trajton mirë konsumatorët”. Në këto kushte, vështirë është të mendosh nëse qeveria qan hallin e qytetarit apo mban mëri për ndonjë “punë” të pazgjidhur.

Top Channel