Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë (ECS) vlerëson se Shqipëria i ka dhënë një monopol KESH-it dhe CEZ Shpërndarje në importimin e energjisë elektrike, duke shkelur rregullat e Bashkimit Europian të Traktatit të Energjisë.
Në një letër që drejtori i sekretariatit, Slavtcho Neykov, i ka dërguar ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, më datë 7 tetor, mësohet se ECS i jep dy muaj kohë Shqipërisë për të dhënë një përgjigje lidhur me shqetësimet e ngritura para se ky i fundit të marrë një masë ndëshkuese.
Sipas letrës, një kopje e të cilës disponohet edhe nga “Shqip”, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) i ka dhënë KESH-it 50 për qind të kapacitetit importues të energjisë elektrike dhe CEZ-it 25 për qind, ndërkohë që Shqipëria nuk ka hedhur hapat e duhur për të liberalizuar tregun duke mos u dhënë mundësi konsumatorëve të zgjedhin furnitorin.
Zbulimi i letrës vjen vetëm pak ditë pasi CEZ njoftoi gjobë dhe burg për 328 konsumatorë, si dhe pas zbardhjes së planit të saj për rritjen me 5% të cmimit të energjisë për familjet.
Fillimisht ekskluziviteti i kapacitetit të transmetimit ishte i vlefshëm deri në vitin 2011, por në fakt sipas sekretariatit janë në fuqi pa afat.
Duke iu referuar edhe portalit ‘energjia.al’, Shqipëria vlerësohet se ka shkelur ligjin e energjisë të Komunitetit Europian, nuk ka zbatuar rregullat e përafrimit të legjislacionit dhe ka vendosur rregulla diskriminuese për importuesit e tjerë të energjisë elektrike.
Tregu i energjisë elektrike në vend përbëhet nga tri hallka: furnizuesi me shumicë, transmetimi dhe shpërndarja.
Rregullat e BE thonë që ndonëse shpërndarja është monopol natyror dhe tarifat e shërbimit duhet të jenë të mbikëqyrura, furnizuesi me shumicë mund të jetë më shumë se një operator në mënyrë që konsumatorët të zgjedhin.
Furnizuesi me shumicë teorikisht duhet ta dërgojnë energjinë e tyre te konsumatori final përmes operatorit të sistemit të transmetimit dhe operatorit të shpërndarjes.
Në të gjithë Ballkanin ajo që ndodh në realitet është që operatorët e sistemit të shpërndarjes manipulohen nga interesat e qeverive apo kompanive, publike apo private në mënyrë që në treg të mos ketë konkurrencë.
Rregullat e BE-së bëjnë të ditur që kapaciteti transmetues (në rastin e Shqipërisë, aftësia për të importuar energji), duhet t’u ofrohet importuesve në mënyrë të barabartë.
Disa kompani të huaja kanë marrë licencë në Shqipëri për të kryer funksionin e furnizuesit publik me shumicë. Një tender për alokimin e kapaciteteve transmetuese të OST është zhvilluar disa herë dhe është mbajtur i fshehtë, ku janë regjistruar dy raste të anulimit të procedurës në momentin e fundit pa shkak.
Tenderi i OST kishte si qëllim të alokonte 25 për qind të kapacitetit, pasi pjesa tjetër prej 75 për qind zotërohet në mënyrë ekskluzive KESH dhe CEZ. Në këto kushte sekretariati kërkon që ky ekskluzivitet të anulohet për t’i dhënë mundësi tregut që të liberalizohet.
Në letër thuhet se Ministria e Ekonomisë, përmes ERE-s, nuk ka zbatuar nenet 7 dhe 14 të Traktatit te Komunitetit të Energjisë.
Gjithashtu, sekretariati ankohet dhe për moszbatimin e neneve 3 (1) dhe 20 të Direktivës 2O03I54IEC dhe Nenit 9 të Rregullores 122812003.
Top Channel