“Konomi”, Halimi: Presim rezultatin e Prokurorisë

03/10/2011 00:00

Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi deklaron se do të merren në
shqyrtim të gjitha pretendimet e paraqitura në letrën e hapur që familja
e gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi i drejtoi atij, kreut të vendit
dhe numrit dy të Këshillit të Larrtë të drejtësisë.

“Bashkëpunimi i policisë me Prokurorinë është i kënaqshëm. Ne do të presim rezultatin e Prokurorisë”, tha ministri, i cili ndodhet në Pogradec.

Me dy letra të ndryshme, familja e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi u është drejtuar javen e shkuar krerëve më të lartë të shtetit, presidentit të vendit dhe kryeministrit, duke apeluar për zbardhjen sa më shpejt të ekzekutimit mafioz të gjyqtarit Konomi, por edhe sigurimin e jetës së tyre dhe garantimin e një procesi të drejtë për cështjen ku janë përfshirë.

Në letrën e parë publike, drejtuar presidentit, ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të KLD-së, familja Konomi kërkon jo vetëm mbrojtjen e pjesëtarëve të familjes, por edhe të gjyqtarëve që do të gjykojnë cështjen e pronave në 3 tetor.

Ndërkohë, Top Channel siguroi edhe një tjetër letër të familjarëve, atë që ata i kanë drejtuar kryeministrit Sali Berisha.

Në këtë letër më të drejtpërdrejtë, familjarët e Skerdilajd Konomit deklarojnë jo vetëm frikën për jetën dhe për humbjen e pronës përmes kërcënimit dhe manipulimeve gjyqësore e të strukturave të tjera, por hedhin edhe dyshimet e tyre se vrasja e gjyqtarit është e lidhur me procesin për kthimin e pronave në Durrës. Ata apelojnë kryeministrin që të garantojë një proces të drejtë gjyqësor.

Hetimet, verifikim telefonatave

Megjithë deklaratat e zyrtarëve të policisë se shumë shpejt do kishte emra të dyshuarish për ekzekutimin e gjyatarit Konimi, deri më tani hetimet nuk kanë asgjë konkrete.

Përvec pistës kryesore, që është ajo për vrasje për shkaqe të pronësisë edhe pse cështja vazhdon të jetë e regjistruar tek Krimet e Rënda për vrasje për shkak të cilësive të vecanta duke qenë se i ndjeri ishte gjyqtar, për grupin hetimor kjo është një ndër cështjet më të vështira për t’u zbardhur.

Pjesëtarë të grupit të hetimeve thanë në rrugë jozyrtare për TCH se në vijim të verifikimeve janë kontrolluar tabulatët e telefonatave që janë bërë në vlorë në momentin e shpërthimit.

Nga ora 08:00 deri në 09.30, në Vlorë janë bërë 8 mijë telefonata të cilat po verifikohen. Hetuesit po ecin në këtë pistë pasi shpërthimi është kryer përmes telefonit celular.

Kjo metodë është përdorur në zbulimin e grupit “hijet e natës”, që grabiti dy vjet më parë 500 milionë lekë në Tirane dhe u identifikua më pas nga telefonatat që anëtarët i kishin bërë njëri-tjetrit në castet kur po kryenin grabitjen.

Top Channel