Arvizu: Berisha-Rama të takohen privatisht

02/10/2011 00:00

Nga festimet e 20 vjetorit të rihapjes së ambasadës amerikane në Tiranë, ambasadori Aleksandër Arvizu e ka mirëpritur propozimin e liderit të opozitës Edi Rama për një debat publik përballë kryeministrit Sali Berisha.

Ambasadori Arvizu deklaroi se propozimin e Ramës e shikonte si një dicka
me vlerë, madje u shpreh i gatshëm për të hapur derën e shtëpisë, për
të organizuar një takim, mes dy lidërve nëse kjo do të ndihmonte.

“Kam dëgjuar pak për këtë propozim, por nuk kam patur mundësi ta studioj me hollësi. Unë qartazi mendoj se ky debat apo diskutim nuk është ide e keqe. Kam dashur dhe shpresuar që të kishte më shumë mundësi për debat që gjatë zgjedhjeve vendore që kaluan. Megjithatë shikoj dicka të mirë, një vlerë në këtë propozim. Por përvec një debati publik mendoj se do të ishte më mirë që të dy liderët të kishin një takim privat mes tyre dhe jam i sigurtë që ata janë të aftë ta bëjnë këtë nëse do të donin vërtet ta bënin”, u shpreh diplomati amerikan.

Ambasadori u tregua i gatshëm që këtë takim ta mirëpresë në shtëpinë e tij:

Nëse do të ndihmonte unë jam i gatshëm të hap derën e shtëpisë sime për
të realizuar këtë takim mes dy lidërve, jam i sigurtë që edhe ambasadori
i Bashkimit Europian, Ettore Sequi do të kishte dashur të ishtë në këtë
takim. Gjithësesi vendimi i mbetet drejtuesve. Cfarëdo gjëje që ne mund
të bëjmë për të lehtësuar tensionin politik, në jemi të gatshëm të
bëjmë gjithcka që nevojitet për të realizuar këtë takim. Edhe nga këto
festime duket qartë që ne jemi në anën e popullit shqiptar”, tha
ambasadori Arvizu.

Rama: Me Berishën takohem vetëm para shqiptarëve

Menjëherë pas deklaratës së ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi në blogun e vet në internet.

Në përgjigje të sugjerimit të diplomatit amerikan për një takim privat me Berishën, zoti Rama tha se privatisht takohet vetëm me miq, ndërsa theksoi se “Saliun e pret vetëm në debat para shqiptarëve”.

Nga ana tjetër kryeministri Berisha nuk ka bërë ende asnjë koment mbi këtë propozim të Ramës.
 

Top Channel