Megjithëse disa vende anëtare të BE-së ende nuk kanë thënë “Po”-në e tyre për statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në Qershor, duket se lëvizja drejt tij është pozitive këtë herë, të paktën këtë tregon turi diplomatik i qeverisë shqiptare.
Pas vizitës së kreut të qeverisë Edi Rama në Gjermani, ku vendi kryesor i BE-së dha sinjale të një qasjeje optimiste për dhënien e statusit Shqipërisë, kryeministri udhëton të hënën në Holandë, një tjetër shtet që nuk e votoi Shqipërinë në Dhjetor.
Ndalesa në vizitë zyrtare e kryeministrit Rama në Hagë, kryeqyteti nga erdhi dhe rezistenca më e fortë në Dhjetor për dhënien e statusit Shqipërisë, merr rëndësi të veçantë.
Paralelisht me këtë vizitë të kryeministrit, është ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, që zhvillon takime në Kopenhagen. Danimarka është gjithashtu një ndër pesë vendet, që votoi kundër për statusin e Shqipërisë në Dhjetor.
Ndërsa ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, do të jetë në Angli vetëm pas pak ditësh, për të kërkuar nga Londra që, ndryshe nga pak muaj më parë, të mbështesë këtë herë Shqipërinë.
Axhenda lobuese e ministrave dhe e kryeministrit Rama do të bashkohet, në një tjetër vizitë domethënëse në një kryeqytet europian, më 11 Qershor në Paris. Franca gjithashtu renditet ndër shtetet e vështira për Shqipërinë, sa i takon qëndrimit për statusin.
Vizita në Francë e kryeministrit Rama dhe ministrave Bushati e Gjosha, do të bëhet pak ditë pasi Komisioni Europian do të ketë publikuar progres-raportin për Shqipërinë, në datën 3 Qershor, ku rekomandimi për dhënien e statusit për Shqipërinë, sipas pohimeve publike të komisionerit Fule, do të jetë më i fortë se në Dhjetor.
Turi diplomatik në pesë kryeqytetet, që në Dhjetor kërkuan më shumë kohë për dhënien e statusit Shqipërisë, përforcon optimizmin për votën pro statusit të Shqipërisë në Këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së, më 27 Qershor në Luksemburg.
Belgjika “avokate” e Shqipërisë
Onkelinx: Vendet skeptike do binden për statusin kandidat
Belgjika thotë se vendet, që ende nuk janë të bindura për statusin e Shqipërisë, do të dorëzohen përballë shumicës. E pyetur për rrezikun e ndikimit të qëndrimit të Francës te shtetet e tjera anëtare, zëvendëskryeministrja socialiste, Laurette Onkelinx, beson se në Qershor të gjitha vendet anëtare do të arrijnë në konsensus për dhënien e statusit.
“Unë e besoj. Është e vërtetë që nuk është e lehtë. Belgjika është avokatja juaj, është avokate e komunitetit shqiptar dhe këtë e dëshmuam gjatë bisedimeve të fundit. Siç e dimë, Franca dhe Holanda ngritën probleme, por nuk ka pse të mos ngulmohet, edhe kur hasen pengesa. Mendoj vërtet se vendet, që nuk janë bindur ende, do të dorëzohen përballë shumicës, që dëshiron anëtarësimin e Shqipërisë”.
Top Channel