Policia e Fierit ka finalizuar tre faza të operacionit të koduar “Siguria”, në kuadër të kontrolleve intensive për parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe veprimtarive të paligjshme në fushën e narkotikëve.
Si rezultat i operacionit, janë arrestuar 4 shtetas, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 4 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak, 2 maska silikoni dhe një përforcues grushti.
Faza e parë në Fier
Në Fier është arrestuar në flagrancë një 42-vjeçar, me inicialet S. M., i cili sipas Policisë qarkullonte me lëndë narkotike kokainë dhe drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën edhe dy maska silikoni, të cilat dyshohet se do t’i përdorte për kryerjen e veprimtarive kriminale.
Faza e dytë, në pranga babë e bir
Në vijim të operacionit, në Fier u arrestuan dy shtetas, Z. T., 60 vjeç, dhe E. T., 25 vjeç, babë e bir.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një dorezë metalike.
Faza e tretë në Lushnjë, dy kallashnikovë të sekuestruar
Ndërkohë, në Lushnjë u arrestua shtetasi M. B., ndërsa babai i tij, L. B., 32 vjeç, u shpall në kërkim.
Pas një hetimi disa javor, Policia ushtroi kontroll në banesën e tyre, ku gjeti dy armë zjarri kallashnikovë, municion luftarak dhe një armë gjahu. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se armët e sekuestruara në Lushnjë janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Të gjitha armët e sekuestruara në Fier dhe Lushnjë do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Top Channel