Vodhi shuma parash dhe sende me vlerë në 3 subjekte në Golem dhe Kavajë, arrestohet 38-vjeçari

27/11/2026 10:34
Foto Ilustruese

Policia ka zbardhur tri raste vjedhjesh të kryera gjatë muajit tetor në Kavajë dhe Golem, ndërsa në pranga ka rënë autori i dyshuar.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Traces”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit me iniciale E. Sh., 38 vjeç, banues në Durrës.

Nga hetimet dyshohet se 38-vjeçari, gjatë muajit tetor 2026, ka vjedhur shuma parash, një laptop, celular, pajisje të ndryshme elektronike dhe mjete pune në dy subjekte dhe një banesë, në Kavajë dhe Golem.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.

Top Channel