Shkeli kodin e veshjes në dasmën e Miley Cyrus, e ftuara shfaqet me fustan të verdhë dhe bëhet virale: “Kush është kjo divë?”

23/11/2026 22:39

Një e ftuar në dasmën e këngëtares së njohur Miley Cyrus është kthyer në temën kryesore të diskutimeve në rrjetet sociale, pasi shkeli kodin e veshjes të vendosur për ceremoninë dhe u shfaq me një fustan të verdhë, ndërsa pjesa tjetër e të ftuarve kishin zgjedhur veshje të zeza.

Bëhet fjalë për grafik-stilisten Belgica Vargas, bashkëshortja e producentit muzikor Sean Everett, e cila tërhoqi vëmendjen në fotografitë e ceremonisë për shkak të zgjedhjes së saj të pazakontë të veshjes.

Miley Cyrus u martua me partnerin e saj, Max Morado, të shtunën në mbrëmje, më 21 nëntor, në Palm Springs, në një ceremoni private ku morën pjesë familjarë dhe miq të ngushtë. Megjithatë, mes fotografive të publikuara nga dasma, ishte pikërisht fustani i verdhë i Vargas që nxiti reagime të shumta.

Përdoruesit e rrjeteve sociale vunë re se ajo ishte e vetmja që nuk kishte respektuar kodin e veshjes, duke komentuar me ironi: “Të gjithë në dasmën e Miley Cyrus ishin veshur me të zeza, përveç njërës. Kush është kjo divë? Nuk është ngjyrë qymyri, nuk është blu e errët, është mustardë”.


Të tjerë e vlerësuan fustanin si elegant, duke veçuar detajet në pjesën e shpatullave dhe zbukurimet në dekolte, por theksuan se ngjyra e tij binte shumë në sy mes të ftuarve të veshur me të zeza. Disa komentues madje sugjeruan se partneri i saj mund të mos e kishte informuar për kodin e veshjes.

Pas reagimeve, motra e Belgica Vargas, Grecia, doli në mbrojtje të saj, duke shpjeguar se ajo nuk e kishte kuptuar kodin e veshjes dhe se Miley Cyrus nuk ishte shqetësuar aspak nga zgjedhja e saj.


“Ajo nuk e dinte, djema. Burri i saj është një mik shumë i mirë i Miley-t dhe, nëse do ta njihnit dhëndrin tim, do ta kuptonit plotësisht. Motra ime duhet ta kishte parë më mirë ftesën. Sidoqoftë, Miley është një person i mrekullueshëm dhe nuk u shqetësua aq sa u shqetësua interneti. Familja jonë po argëtohet”, shkroi Grecia në një koment në Instagram.

Ajo sqaroi gjithashtu se motra e saj kishte marrë dijeni për dasmën prej kohësh dhe se e kishte parë ftesën rreth dy muaj më parë. Belgica i kishte thënë se do ta kontrollonte sërish ftesën pasi të kthehej në shtëpi, për të kuptuar se ku kishte ndodhur keqkuptimi.


Grecia shtoi se bashkëshortit të saj i pëlqejnë ngjyrat e ndezura, ndaj ishte habitur edhe ajo kur e kishte parë të shfaqej i veshur me të zeza.

Ndërkohë, Miley Cyrus publikoi të dielën në mëngjes fotografitë e para nga ceremonia, duke i shoqëruar me inicialet e çiftit, një zemër dhe datën e dasmës: “M + M. 21.11.26”.

Ceremonia u zhvillua në ambientet e jashtme të një prone që dikur i përkiste legjendës së muzikës Frank Sinatra. Dasma u drejtua nga Wayne Coyne, vokalisti i grupit Flaming Lips, me të cilin Cyrus ka bashkëpunuar edhe më parë.

Në mesin e të ftuarve ishin babai i këngëtares, Billy Ray Cyrus, i shoqëruar nga partnerja e tij Elizabeth Hurley, si dhe disa miq dhe bashkëpunëtorë të çiftit.

Top Channel