Pavarësisht humbjes me Finlandën, Kombëtarja U17 arrin objektivin, kualifikohet në raundin e dytë të League A për Evropianin e 2027

17/11/2026 16:54

Kombëtarja shqiptare U17 e mbylli me humbjen 1-3 ndaj Finlandës raundin e parë të kualifikueseve të Kampionatit Evropian U17, të vlefshme për UEFA EURO 2027.

Por, pavarësisht këtij rezultati, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama kanë arritur të sigurojnë vendin e dytë në Grupin 4, duke kaluar në raundin e dytë kualifikues në League A.

Kombëtarja U17 e nisi mirë takimin dhe kaloi e para në avantazh me Haxhi Rrenën, i cili gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 17. Finlanda reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të përmbyste rezultatin brenda pak minutash. Launiala barazoi në minutën e 61-të nga pika e bardhë e penalltisë dhe vetëm tri minuta më vonë realizoi golin e dytë për skuadrën e tij. Në minutën e 90+7, Aho shënoi edhe golin e tretë, duke vulosur fitoren 3-1 të Finlandës.

Në përfundim të tri ndeshjeve të këtij mini-turneu, Kombëtarja U17 u rendit në vendin e dytë të Grupit 4 me 4 pikë, pas Finlandës që e mbylli me pikë të plota, 9. Skocia u rendit në vendin e tretë me 3 pikë, ndërsa Suedia në vendin e fundit me 1 pikë. Përfundimi në dy vendet e para të grupit i siguroi skuadrës sonë përfaqësuese të 17 vjeçarëve kalimin në raundin e dytë kualifikues në League A, ku kuqezinjtë do të vazhdojnë garën në muajin mars 2027. Në këtë fazë do të marrin pjesë 28 kombëtare, 14 fitueset dhe 14 skuadrat e renditura në vendin e dytë në raundin e parë. Raundi i dytë do të përcaktojë shtatë kombëtaret që do t’i bashkohen Letonisë, vendit organizator, në fazën finale të Kampionatit Evropian U17, që do të zhvillohet nga 24 maji deri më 6 qershor 2027.

Top Channel