Rregulla të reja për monumentet/ Më shumë kontroll, qeveria ndryshon ligjin për trashëgiminë kulturore

06/11/2026 20:04

Qeveria ka nxjerrë në konsultim publik projektligjin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, me disa shtesa dhe ndryshime mbi ligjin e vitit 2018 që është aktualisht në fuqi, me qëllim rritjen e kontrollit mbi ndërhyrjet dhe zhvillimin në territoret me vlera kulturore dhe krijimin e mekanizmat të rinj financiarë e administrativë për ruajtjen e trashëgimisë.

Për herë të parë, përfshihet instrumenti i Vlerësimit të Ndikimit në Trashëgimi për të analizuar ndikimin e planeve, programeve, projekteve dhe ndërhyrjeve mbi pasuritë kulturore, me synim ndalimin e ndërhyrjeve pa standard që rrezikojnë monumentet.

Kështu, përpara miratimit të projekteve që mund të prekin monumentet, zonat historike apo pasuritë e mbrojtura, do të duhet të vlerësohen ndikimet e mundshme mbi vlerat historike, autenticitetin dhe integritetin e tyre.

Projektligji “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”: Projektligji rregullon në mënyrë më të plotë ndërhyrjet në pasuritë kulturore të paluajtshme, duke përcaktuar procedura të veçanta për mirëmbajtjen, masat urgjente, ndërhyrjet ruajtëse, restaurimin, ndryshimin e destinacionit dhe përshtatjen funksionale të tyre.

Me këtë projektligj, të hartuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, preken drejtpërdrejt edhe pronarët privatë, që mund të marrin për mbështetje financiare për pasuritë e trashëgimisë kulturore që janë në pronën e tyre.

Më shumë rregulla do të ketë për importin, eksportin, lëvizjen ndërkufitare dhe kthimin e objekteve kulturore të larguara ose trafikuara në mënyrë të paligjshme.

Ndryshime parashikohen edhe në administrimin e muzeve dhe koleksioneve, përmes përafrimit të përkufizimit të muzeut me standardet e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve.

Top Channel