Shtyrja e Panairit të 29-të të librit, reagon botuesi Frano Kulli: S’besoj se ka shëmbëlltyrë të ngjashme kund tjetër, që Krishtlindjet të kthehen në ditë pune

05/11/2026 16:30

Shtyrja e Panairit të 29-të të Librit në Tiranë për datat 24-28 dhjetor, që përkojnë me festat e Krishtlindjes, ka shkaktuar reagime në radhët e botuesve.

Botuesi Frano Kulli, anëtar i Shoqatës së Botuesve dhe i Kryesisë së saj, e ka kundërshtuar këtë vendimmarrje, duke e cilësuar të papërshtatshme zhvillimin e panairit gjatë festave fetare.

Ai propozon që aktiviteti të mbahet në fund të janarit, ndërsa e konsideron të papranueshme që Krishtlindja të kthehet në ditë pune për botuesit dhe stafet e tyre.

Reagimi i plotë i Frano Kullit:

Lidhur me përcaktimin arbitrar të zhvillimit të Panairit të 29 të Librit në Tiranë në Ditët e Krishtlindjes, (24-28 dhjetor) reagimi im, si anëtar i Shoqatës së Botuesve dhe i Kryesisë saj ka qenë ky:

Mendoj se datat e fund janarit mund të ishin të përshtatshme.

Më duket absurditet i madh ngulmimi në ditët e Krishtlindjeve. Për arsye se:

1) Fëmijët dhe të rinjtë s’kanë si të jenë në shumicë te panairi se kanë gjëra të tjera më të bukura për të bërë për festa.

2) Edhe në Kosovë, Maqedoni dhe Mali të Zi, kanë Krishtlindje dhe, besoj se krishtlindjet kanë edhe për ata më përparësi se Panairi i Librit të Tiranës. Libri meriton festen e vet, siç është Panairi një festë e Librit dhe jo t’i mbivendoset KRISHTLINDJES…

3) Stafet e secilës shtëpi botuese, më së paku duhen paguar si për ditë feste (nëse do të pranojnë të punojnë ato ditë)

Edhe një ndjesi personale më lejoni ta shfaq, të dashur kolegë. Si katolik ndjehem i fyer në palcë, që Kryesia e Shoqatës së Botuesve ku unë bëj pjesë gjen rast të na e përdhosë festën e Krishtlindjeve, duke na e kthyer në ditë pune të detyrueshme. (Them të detyrueshme se për botuesit shkrimtarët dhe gjithë ata që merren me librin ditët e Panairit janë ditëpunët më të rëndësishme të vitit)

Nuk besoj se ka shëmbëlltyrë të ngjashme kund tjetër, që Krishtlindjet të kthehen në ditë pune. Edhe në burgun e Burrelit dikur, tinzash i kanë festuar Krishtlindjet.

Top Channel