Rikthehet filozofia e Luzajt, pas dhjetë vitesh studim botohen katër vepra, priten edhe gjashtë vëllime të tjera

03/11/2026 20:11

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, pas një studimi dhjetëvjeçar, botoi katër veprat filozofike të filozofit të shquar shqiptar, Isuf Luzaj, duke nxjerrë në pah figurën shumëdimensionale të Profesorit.

“Nuk është vetëm personalitet, është një fenomen shumëplanësh. Student i shkëlqyer në Paris, mësues i shkollave të mesme, politikan, veprimtar, antifashist i orëve të para, komandant çete. U internua nga italianët. Krijoi programin dhe statutin e Partisë Social Demokrate”, u shpreh Uran Butka, drejtues i instituti Lumo Skëndo.

Luzaj i shfaqi që në fillim prirjet e tij antikomuniste, u bë veprimtar i bashkimit kombëtar, me fjalimin e fortë për një Shqipëri të lirë demokratike dhe etnike në Kuvendin e Mukjes.

“Një antikomunist i vendosur, që e quante komunizmin si një sëmundje kanceroze dhe antinjerëzore”, tha Butka

Filozofi u dënua për vdekje dhe u largua nga vendi, për t’i shpëtuar diktaturës komuniste, ku “Lumenjtë rrjedhin të kuq”, siç shkruante ai. Jashtë Shqipërisë vijoi krijimtarisnë si filozof, historiai, sociolog, kritik, anrtopolog, poet e shkrimtari, me një prodhimtari të jashtëzakonshme krijuese, që tashmë vjen e përmbledhur për lexuesin.

 “Ai është filozof i ekzistencializmit aktiv ose veprues, jo ‘ekzistoj se jam’, por ‘ekzistoj sepse veproj’. Kjo është shumë e rëndësishme. Ishte një filozof i madh”, përfundoi Butka.

Në aktivitetin ku u promovua, i emocionuar për finalizimin e kësaj kolane, nipi e kujton Profesor Luzajn përmes një shprehjeje, që qëndron po aq aktuale edhe sot.

“Sa jemi shqiptarë, kemi të gjithë një farë, kemi të gjithë një besë, nuk jemi kurrë të ndarë”, u shpreh nipi i Prpfesor Isuf Luzajt.

Instituti “Lumo Skëndo” synon të pasurojë veprën edhe me botimin e gjashtë vëllimeve të tjerë të krijimtarisë letrare, historike dhe memuaristike të Isuf Luzajt.

 

 

Top Channel