Çfarë i ndodhi helikopterit italian në Bosnjë? Bllokim motori, pilotët u nxorën gjallë

30/10/2026 13:20

Rrëzimi i helikopterit të forcave italiane në Bosnjë, që i kushtoi jetën 4 personave në bord, me shumë gjasë ka qenë pasojë e një defekti teknik.

Ky është dyshimi kryesor i autoriteteve që theksojnë megjithatë se është ende shumë herët për të dalë në një përfundim, dhe se mund të duhen disa ditë për të kuptuar dhe përcaktuar shkaqet”.

Në Ministrinë italiane të Mbrojtjes, gjatë orëve të para pas tragjedisë, vëmendja u përqëndrua te çështje të tjera: bilanci i viktimave dhe njoftimi i familjarëve, përpara se ata të mësonin lajmin e kobshëm përmes mediave italiane apo boshnjake.

Mësohet ndërkohë se pilotët është arritur të nxirren gjallë prej tij. 11 janë gjithsej të lënduarit që po marrin kujdes mjekësor. Shpëtimi i tyre është përshkruar nga përfaqësues të qeverisë italiane si “pothuajse një mrekulli”.

Në rrjetet sociale sakaq, është shfaqur një hipotezë më konkrete për shkakun e aksidentit. Ekspertët e helikopterëve kanë analizuar videon e publikuar në Facebook nga Bosnja. Sipas pamjeve, duket se njëri prej dy motorëve është bllokuar ose ka pësuar një ndryshim të drejtimit të rrotullimit.

Të paktën kjo është ajo që sugjerojnë pamjet filmike dhe pak sekuencat e disponueshme përpara rrëzimit: helikopteri duket se ka hyrë në një rrotullim të pazakontë dhe të pakontrolluar rreth vetes. Një aksident i tillë nuk është i zakonshëm për një helikopter me teknologji kaq të avancuar si CH-47F Chinook. Ky model prodhohet nga kompania amerikane Boeing, në bashkëpunim me kompaninë italiane Leonardo.

Sipas të dhënave teknike të këtij gjiganti të vogël të qiellit, helikopteri, i cili u rrëzua pasditen e djeshme në Bosnjë, po përballej me kushte atmosferike relativisht normale: qiell me vranësira dhe erë me shpejtësi më të vogël se 5 kilometra në orë.

Pra, nuk bëhej fjalë për kushte të veçanta apo të vështira atmosferike. Të gjitha këto informacione të pjesshme mbërritën në Romë nga komanda e EUFOR-it, misionit ushtarak evropian për stabilizimin e Bosnjës, i cili që nga ky vit drejtohet nga Italia.

Mes personave që ndodheshin në bord, jo të gjithë viktimat janë ushtarakë. Dy nga personat që humbën jetën i përkisnin personelit të Kryqit të Kuq.

Në total, Italia ka më shumë se 200 persona të angazhuar në kuadër të Euroforit me detyra të ndryshme operacionale, në tokë dhe në ajër, përfshirë mbikëqyrjen ajrore dhe inteligjencën ushtarake.

Top Channel