Gjoba dhe pezullime, Komisioni i Disiplinës jep sanksionet e radhës për klube e zyrtarë
Vora ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Vllaznisë, duke triumfuar me rezultatin 2-1 në një ndeshje të luftuar, ku emocionet nuk munguan deri në minutat e fundit.
Skuadra vendase shënoi nga një herë në secilën pjesë, ndërsa shkodranët arritën të ngushtonin diferencën vetëm në fund, duke mos pasur kohë për të kërkuar barazimin.
Sfida u zhbllokua në minutën e 16-të, kur Kashari realizoi një gol të bukur nga distanca, duke kaluar Vorën në avantazh. Pas golit të parë, vendasit vijuan të shfaqeshin rrezikshëm në sulm dhe patën disa mundësi për të dyfishuar shifrat, por mungoi konkretizimi.
Vllaznia u përpoq të reagonte, me Balajn dhe Muratajn që krijuan raste të mira përpara portës së Harizajt, por portieri i Vorës u tregua i vëmendshëm në momentet vendimtare. Edhe në pjesën e dytë, shkodranët patën mundësi për të barazuar, por nuk arritën të dërgonin topin në rrjetë.
Kur Vllaznia po kërkonte golin e barazimit, Vora goditi sërish. Në minutën e 85-të, Frroku bëri një aksion të shkëlqyer dhe shërbeu për Dakën, i cili dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 2-0, duke i dhënë vendasve një avantazh të rëndësishëm në fundin e takimit.
Megjithatë, Vllaznia nuk u dorëzua. Në minutën e 89-të, shkodranët fituan një penallti pas ndërhyrjes së Shehit dhe nga pika e bardhë u tregua i saktë Balaj, i cili ngushtoi shifrat në 2-1 dhe rihapi për pak çaste sfidën.
Në minutat e mbetura, Vllaznia nuk arriti të gjente golin e barazimit dhe Vora festoi një fitore 2-1, falë golave të Kasharit dhe Dakës. Për shkodranët, rrjeta e Balajt erdhi shumë vonë për të ndryshuar fatin e ndeshjes.
REZULTATI:
Vora 2-1 Vllaznia
16’ Kashari, 85’ Daka / 89’ (P) Balaj
Top Channel