Luftë e ngushtë mes Kane dhe Mbappe, sa pikë e ndanë fituesin e Topit të Artë me yllin e Francës
Pas një sezoni të jashtëzakonshëm, sulmuesi anglez ngjitet në majën e futbollit botëror. Në mbrëmjen më të madhe të karrierës, ai ndan emocionet me njeriun që e ka mbështetur në çdo hap: “Ky çmim është edhe për ty!”
Harry Kane është fituesi i Topit të Artë 2026, duke kurorëzuar me çmimin më prestigjioz individual një sezon të jashtëzakonshëm me fanellën e Bayern Munich. Sulmuesi anglez la pas në garën për trofeun spanjollin Lamine Yamal dhe francezin Kylian Mbappé, duke u ngjitur në majën e futbollit botëror.
Ceremonia e këtij viti u zhvillua në Londër, për herë të parë jashtë Parisit, në një homazh për Stanley Matthews, fituesin e parë të Topit të Artë në vitin 1956.
Kane e mbylli sezonin me shifra mbresëlënëse, duke realizuar 75 gola në 65 ndeshje dhe duke ndihmuar Bayern Munich të fitonte trofetë vendas. Sulmuesi anglez vazhdon të shkruajë historinë edhe në Bundesligë, ku muajin e kaluar u bë lojtari më i shpejtë që arriti kuotën e 100 golave, në vetëm 98 paraqitje.
“Jam pa fjalë. Të jem këtu është diçka e veçantë dhe jam shumë krenar. Dua të falënderoj të gjithë klubin, sepse më ka ndihmuar të rritem si lojtar dhe si njeri. Shpresoj të jem një shembull për ata që ëndërrojnë të bëhen më të mirët”, u shpreh Kane, duke falënderuar gjithashtu trajnerët që kanë ndikuar në karrierën e tij, përfshirë Vincent Kompany, Antonio Conte dhe José Mourinho. Por momenti më emocionues i mbrëmjes erdhi kur sulmuesi foli për gruan e tij, duke e bërë të qartë se pas suksesit të tij qëndron edhe mbështetja e familjes. Mes gjithë trofeve dhe rekordeve, Kane zgjodhi të ndajë me të një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij.
“Është e pabesueshme ta fitosh këtë çmim, por është edhe më e veçantë ta marrësh në Londër. Ky ishte sezoni më i mirë i jetës sime, si personalisht, ashtu edhe për ekipin”, tha ai. Më pas, me fjalë që përmbledhin sakrificat, vështirësitë dhe gëzimet e ndara së bashku, Kane iu drejtua bashkëshortes së tij me një dedikim të veçantë:
“Ky çmim është edhe për ty. Po, ia dolëm mbanë!”
Një trofe individual, një sezon historik dhe një mesazh që tregoi se, përtej golave dhe rekordeve, disa nga fitoret më të mëdha kanë edhe një histori dashurie pas tyre.
Top Channel