Live Topi i Artë/ Harry Kane ngjitet në skenë, rrëmben çmimin e prestigjioz për… sulmuesit
Elegancë, shkëlqim dhe emra të mëdhenj të futbollit botëror! Tapeti i kuq i ceremonisë së “Topit të Artë” është kthyer në një spektakël më vete, ku yjet e fushës, trajnerët e njohur, legjendat e futbollit dhe personazhet e famshëm kanë tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tyre.
Përpara ndarjes së çmimeve më të rëndësishme individuale të futbollit, atmosfera është ndezur nga parakalimi i protagonistëve të mbrëmjes, të shoqëruar në shumë raste nga partneret e tyre. Një sfilatë ku stili, eleganca dhe fama janë ndërthurur në një skenë që i ka sytë e gjithë botës.

Mes çifteve që kanë spikatur ishte trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, së bashku me bashkëshorten Lorena Bernal, ndërsa ylli i Liverpool-it, Luis Díaz, u shfaq krah partneres së tij, Gera Ponce. Në tapetin e kuq nuk mungoi as sulmuesi i Bayern Munich, Harry Kane, i shoqëruar nga bashkëshortja Katie Goodland.

Vëmendjen e fotografëve e tërhoqi edhe Kylian Mbappé, një prej emrave më të mëdhenj të futbollit aktual, ndërsa prania e artistit të njohur Burna Boy i dha ceremonisë një tjetër dimension, duke bashkuar botën e futbollit me atë të muzikës dhe spektaklit.

Por magjia e mbrëmjes nuk qëndroi vetëm te yjet e së tashmes.

Në tapetin e kuq parakaluan edhe emra që kanë shkruar historinë e futbollit botëror, si Luís Figo, Patrick Kluivert dhe Hristo Stoichkov, ndërsa moderatori i njohur Gary Lineker ishte gjithashtu pjesë e kësaj parade të figurave të shquara.

Me veshjet elegante, shoqërinë e veçantë dhe atmosferën festive, tapeti i kuq i “Topit të Artë” u kthye në një spektakël më vete. Përpara se të mësohen fituesit e mbrëmjes, yjet kanë dhuruar një tjetër shfaqje, ku futbolli takohet me modën, famën dhe magjinë e një prej ceremonive më prestigjioze të sportit botëror.

Top Channel