Për çfarë bëhet fjalë? Bebe Rexha arrin sukses të ri si artiste e pavarur, këngëtarja e famshme: Nuk ka qenë një rrugë e lehtë

23/10/2026 17:48

Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, vijon me sukseset e saj në karrierën muzikore, e kësaj radhe si artiste e pavarur. Kënga që mban titullin “New Religion” është renditur e 35-ta në listën e 50 këngëve më të dëgjuara nga artiste femra në “Spotify”.

Këtë rezultat e ka ndarë me krenari vetë artisja me miliona ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Në një postim në X, Bebe Rexha ka publikuar renditjen dhe ka shprehur kënaqësinë për këtë arritje, e cila merr një rëndësi të veçantë në një periudhë të re të karrierës së saj.

“Fakti që ‘New Religion’ renditet në vendin e 35-të në listën Top 50 të Spotify është vërtet i jashtëzakonshëm”, ka shkruar këngëtarja e famshme.

Ky sukses vjen pas vendimit të Bebe Rexhës për t’u ndarë nga kompania diskografike Warner Records dhe për të vazhduar rrugëtimin e saj muzikor në mënyrë të pavarur. Artistja ka folur edhe për vështirësitë me të cilat përballen muzikantët e pavarur në një industri ku kompanitë e mëdha kanë burime të konsiderueshme financiare dhe rrjete të fuqishme promovimi.

Sipas Rexhës, “New Religion” është i vetmi projekt i një artisteje të pavarur në listën e publikuar, duke e bërë këtë rezultat edhe më domethënës.

“Jam krenare që vendosa t’i besoj vetes dhe edhe më krenare për atë që po ndërtojmë. Faleminderit që jeni pjesë e këtij rrugëtimi. Nuk ka qenë një rrugë e lehtë, por ka qenë një udhëtim i bukur”, është shprehur ylli i muzikës.

Kënga “New Religion” është pjesë e albumit “Dirty Blonde”, i cili shënon një kapitull të ri në krijimtarinë e artistes shqiptare dhe në përpjekjet e saj për të forcuar identitetin muzikor jashtë strukturave tradicionale të industrisë.

Top Channel