Furgoni me pasagjerë bie nga shkëmbi në Bolivi, humbin jetën 10 persona

13/10/2026 07:59

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur të hënën në Bolivinë perëndimore, ku 10 persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur, pasi një furgon pasagjerësh ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga një shkëmb.

Aksidenti u regjistrua në një rrugë malore pranë qytetit Irupana, rreth 70 kilometra në lindje të kryeqytetit La Paz.

Sipas mediave lokale, shumica e pasagjerëve që ndodheshin në automjet ishin minatorë. Pamjet e transmetuara nga mediat boliviane tregojnë furgonin e shkatërruar pranë një lumi, pas rënies nga lartësia.

Shefi i Policisë së La Pazit, Ricardo Terrazas, konfirmoi bilancin tragjik për televizionin lokal Unitel, duke deklaruar se 10 persona kishin humbur jetën, ndërsa katër të plagosurit ishin transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Aksidentet rrugore mbeten një problem serioz në Bolivi. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të vendit, rreth 1,400 persona humbasin jetën çdo vit në rrugët boliviane, ku shkaqet më të zakonshme lidhen me drejtimin e pakujdesshëm dhe defektet mekanike.

Top Channel