Durrësi mirëpret Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të rinj, mbi 700 sportistë nga 40 shtete garojnë për titujt kontinentalë

13/10/2026 12:31

Ka nisur mbrëmjen e kaluar në Durrës Kampionati Evropian i Peshëngritjes për të rinj (Junior dhe U23), ku mbi 700 sportistë nga 40 shtete do të garojnë deri më 19 tetor për titujt kontinentalë.

Sportistët e rinj, meshkuj dhe femra, kanë mbërritur në qytetin bregdetar për të matur forcat në një prej aktiviteteve më të rëndësishme të peshëngritjes evropiane për këto grupmosha.

Medaljet e para janë fituar nga sportistët e Turqisë, Polonisë dhe Greqisë.

Kampionati u çel me ceremoninë zyrtare dhe zhvillimin e garave të para. Shqipëria synon të përfitojë nga fakti që garon në shtëpi.

Sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjozaj, objektivi i ekipit kuqezi është fitimi i 12 medaljeve, kurse federata synon që Shqipëria të organizojë në të ardhmen edhe një kampionat botëror për këto grupmosha.

Në ceremoni mori pjesë dhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes, Mohamed Jalood, i cili vlerësoi pozicionin e Shqipërisë në këtë sport, si për rezultatet e sportistëve, ashtu edhe për aftësinë për të organizuar aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare.

Garat do të vijojnë deri më 19 tetor, duke sjellë në Durrës sportistë, trajnerë dhe përfaqësues të federatave nga e gjithë Evropa.

Top Channel