Situata te Vllaznia vijon të jetë e paqartë pak ditë para ndeshjes me Dinamon.

Futbollistët e ekipit të parë nuk kanë marrë pjesë në seancën stërvitore të parashikuar as pasditen e sotme, ndërsa sipas pretendimeve të tyre, shkak janë bërë pagat e prapambetura.

Në seancën e dytë të parashikuar për ditën e sotme, në ambientet e stërvitjes fillimisht janë paraqitur vetëm katër futbollistë të rinj, Bizi, Uldedaj, Tahiri dhe Ara. Ndërkohë, të pranishëm kanë qenë presidenti Alban Xhaferi dhe drejtori i ri sportiv Alban Hasani, të cilët kanë zhvilluar një takim me pjesëtarët e ekipit.

Pas takimit, katër futbollistët dhe trajneri kanë dalë në fushë dhe kanë zhvilluar seancën stërvitore, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës nuk është përfshirë në stërvitje.

Kjo situatë vjen vetëm pak ditë para përballjes me Dinamon, e programuar më 11 tetor në stadiumin “Loro Boriçi”.

Vllaznia e ka nisur sezonin me vështirësi dhe pas pesë javëve të para renditet në vendin e fundit me dy pikë. Mbetet për t’u parë nëse situata e krijuar do të ndikojë në përgatitjet e skuadrës për sfidën e radhës.

Top Channel