“Nuk e di a do jemi gjallë kur të dalë vendimi”/ Nga City te Barcelona, Mourinho nuk kursehet: Kur erdha në fillim, luftuam kundër Negreiras

08/10/2026 17:38

José Mourinho ka dhënë një intervistë të gjatë për Corriere dello Sport, ku ka folur për disa prej çështjeve më të diskutuara në futbollin europian, nga situata ligjore e Manchester Cityt te rikthimi i tij te Real Madridi, marrëdhënia me arbitrat dhe ndryshimet që ka pësuar profesioni i trajnerit.

I pyetur për çështjen e Manchester Cityt dhe procesin që lidhet me akuzat e shumta të Premier League ndaj klubit anglez, Mourinho zgjodhi ironinë për të komentuar kohëzgjatjen e procedurave.

“Preferoj të qesh pak, sepse mendoj se do të kemi një fund. Por ne të dy, që jemi në të gjashtëdhjetat, duhet të jemi me fat që të jemi ende këtu kur të vijë vendimi përfundimtar, sepse tani do të ketë një vendim dhe pastaj një apel…”, u shpreh trajneri portugez.

Një pjesë tjetër e intervistës lidhej me marrëdhënien e Mourinhos me arbitrimin. Trajneri portugez rikujtoi periudhën e tij të parë në stolin e Real Madridit dhe e lidhi atë me çështjen Negreira.

“Arrita dhe përjetova këtu, te Real Madridi, kohërat e rëndësishme të Negreirës. Askush nuk e dinte, por ne i përjetuam ato”, deklaroi Mourinho, duke iu referuar periudhës kur ish-zëvendëspresidenti i Komitetit Teknik të Arbitrave në Spanjë, Enríquez Negreira, mori pagesa nga Barcelona.

Mourinho përmendi edhe përvojën e tij në Turqi, duke pretenduar se edhe atje u përball me një situatë të ngjashme.

“U largova më pas, dhe tani dihet. Por në Turqi, skandali i madh… më pas, ky lloj situate më ndodhi shpesh”, tha ai, duke iu referuar edhe një zyrtari të lartë të arbitrimit në vend.

Mourinho foli edhe për rikthimin e tij te Real Madridi, duke treguar se historia e tij me klubin kishte vazhduar edhe pas largimit të tij të parë.

“Normalisht ka kontakt fillimisht dhe pastaj fillojnë thashethemet. Këtu ishte pikërisht e kundërta: thashethemet filluan kur nuk kishte asnjë kontakt”, tregoi ai.

Trajneri portugez tha se në atë periudhë ishte i lumtur te Benfica, ndërsa te Real Madridi situata sportive nuk ishte optimale.

Megjithatë, sipas tij, marrëdhënia me klubin spanjoll nuk ishte ndërprerë asnjëherë.

“Lidhja ime me Real Madridin është trembëdhjetë vjet. Që kur u largova, gjithmonë kam mbajtur kontakt. Carlo [Ancelotti] e dinte që isha mik me presidentin Florentino. Nuk kishte asgjë për të fshehur”, u shpreh Mourinho.

Ai e cilësoi rikthimin si një lloj kthimi në shtëpi, për shkak të lidhjes emocionale që ka krijuar me klubin madrilen.

Mourinho foli edhe për ndryshimet në profesionin e trajnerit, duke argumentuar se sot karriera e një tekniku është shumë më e shkurtër.

“Sot, karriera e një menaxheri është shumë më e shkurtër; ata vijnë shpejt dhe largohen shpejt. Ky prototip i një menaxheri me shërbim të gjatë nuk ekziston më”, tha ai.

Portugezi rikujtoi edhe emra të mëdhenj me të cilët ishte takuar gjatë viteve të para në UEFA, mes tyre Alex Ferguson, Fabio Capello, Trapattoni, Lippi dhe Arsène Wenger.

Mourinho tha se synon të vazhdojë të jetë në stol “për sa kohë që të kem shëndet”, duke theksuar se pavarësisht ndryshimeve, identiteti i tij si trajner mbetet i njëjtë.

“ADN-ja nuk ndryshon. Shumë gjëra mund të ndryshojnë, por ADN-ja jo”, deklaroi ai.

Trajneri portugez komentoi gjithashtu transformimin e futbollit modern dhe rritjen e ndjeshme të stafit që shoqëron një ekip.

“Çdo ekip udhëton sot me dy autobusë, një për lojtarët dhe një për stafin. Ndonjëherë, kur mbërrij në hotel, shoh listën e dhomave: ka dhjetë analistë, dhjetë menaxherë të mediave sociale… A janë të gjithë të nevojshëm?”, pyeti Mourinho.

Sipas tij, ajo që po ndodh në futboll duhet parë më shumë si një “transformim” sesa thjesht si një evolucion.

Në fund, Mourinho u ndal edhe te rikthimi në Stadio Olimpico në Ligën e Kampionëve, ku do të përballet me ish-klubin e tij, Romën.

Portugezi nuk pret një pritje madhështore nga tifozët.

“Nuk pres flamuj. Pres respekt”, u shpreh ai.

Mourinho pranoi se ende nuk është fokusuar plotësisht te ajo ndeshje, por pranoi se rikthimi në Olimpico do të jetë i veçantë, ndryshe nga vizitat e tij të mëparshme te ish-klubet si Interi apo Chelsea.

Top Channel