Milani kërkon drejtor të ri sportiv, në skenë del ish-mbrojtësi i Juventusit

08/10/2026 20:48

Revolucioni veror i Gerry Cardinale te Milani nuk përfundoi me të gjitha objektivat e planifikuara.

Një prej tyre ishte edhe emërimi i një drejtuesi të ri sportiv, por tentativa për të afruar Markus Krösche dështoi pasi Eintracht Frankfurt nuk pranoi ta lironte.

Pozicioni vijon të mbetet vakant, ndërsa drejtuesit e klubit kuqezi po shqyrtojnë mundësinë për të emëruar një drejtor sportiv tradicional, i cili do të marrë përsipër edhe negociatat e merkatos.

Sipas raportimeve nga Italia, një prej emrave që po shqyrtohet seriozisht është Mehdi Benatia, ish-drejtori sportiv i Marseille.

Krösche mbetet gjithashtu një opsion për Milanin, pavarësisht se aktualisht është i lidhur me Eintracht Frankfurt deri në vitin 2028. Megjithatë, kandidatura e Benatias ka marrë vëmendje të veçantë në javët e fundit.

Mehdi Benatia ka një avantazh të rëndësishëm: njohjen e futbollit italian. Ish-mbrojtësi maroken ka luajtur në Serie A me Udinesen, Romën dhe Juventusin, përpara se të ndërtonte karrierën si drejtues.

Benatia iu bashkua strukturës drejtuese të Marseille në vitin 2023 dhe gjatë periudhës së tij në klub u përfshinë disa transferime të rëndësishme, mes tyre Mason Greenwood, Pierre-Emile Højbjerg dhe Adrien Rabiot.

Në janar 2025, ai u promovua zyrtarisht në detyrën e drejtorit sportiv të Marseille.

Megjithatë, qëndrimi i tij në klub francez përfundoi në maj të vitit 2026, pas një sezoni të vështirë dhe përkeqësimit të marrëdhënies me trajnerin Roberto De Zerbi.

Aktualisht, Benatia punon si komentator televiziv në Francë, por sipas raportimeve është i gatshëm të rikthehet në drejtimin sportiv.

Sipas mediave italiane, rruga drejt një transferimi të Benatias në Milano është konkrete. Kontakti mes palëve ka ndodhur tashmë dhe negociatat raportohet se po ecin në mënyrë pozitive.

Megjithatë, marrëveshja përfundimtare nuk është ende pranë. Gerry Cardinale ka marrë kohën e nevojshme për të vlerësuar opsionet përpara se të marrë një vendim përfundimtar.

Milani synon ta plotësojë postin e drejtorit sportiv, me objektivin që drejtuesi i ri të ketë rol të drejtpërdrejtë në strategjinë e merkatos dhe negociatat për afrimet e ardhshme.

Top Channel