Ceferin ndryshon qëndrim, rikandidon për një mandat të fundit në krye të UEFA-s: Të mbajmë futbollin europian të bashkuar
Prokurori i çështjes për vdekjen e Diego Armando Maradonës, Patricio Ferrari, ka kërkuar 12 vite burg për neurokirurgun Leopoldo Luque, i cili ishte në krye të ekipit mjekësor që kujdesej për ish-kampionin e botës argjentinas.
Maradona ndërroi jetë më 20 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare. Sipas prokurorisë, Luque duhet të shpallet përgjegjës për veprën penale të vrasjes me dashje eventuale, me rrethana rënduese për shkak të profesionit të tij si mjek dhe marrëdhënies së miqësisë me Maradonën.
Kjo është edhe masa më e lartë e dënimit e kërkuar nga prokurori në këtë proces.
Për koordinatoren e sigurimit shëndetësor të Swiss Medical, Nancy Forlni, dhe psikiatren Agustina Cosachov, Ferrari ka kërkuar nga 8 vite burg, gjithashtu për akuzën e vrasjes së thjeshtë.
Ndërkohë, për psikologun Carlos Diaz është kërkuar një dënim prej 5 vitesh burg, ndërsa për infermierin Ricardo Almiron dhe drejtuesin e tij, Mariano Perroni, janë kërkuar nga 4 vite burg, pasi prokuroria i konsideron përgjegjës për vrasje nga pakujdesia.
Në rastin e mjekut klinik Pedro Di Spagna, prokurori ka kërkuar pafajësinë. Sipas tij, Di Spagna ishte “i vetmi që bëri atë që duhej të bënte” dhe nuk kishte kompetenca për të vendosur mbi kushtet e qëndrimit të Maradonës.
Gjatë fjalës së tij përfundimtare, Ferrari deklaroi se akuzat kryesore ndaj të pandehurve janë mbështetur nga provat e paraqitura gjatë procesit.
“Prokuroria ka provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm ekzistencën e një strukture kaotike, të karakterizuar nga një çorganizim absolut”, tha Ferrari.
Sipas prokurorit, grupi mjekësor drejtohej nga Luque dhe gjatë periudhës 11-20 nëntor 2020 nuk përmbushi detyrimet që kishte marrë përsipër, duke e lënë Maradonën në mëshirë të fatit.
“Maradona ishte një bombë me sahat. U çliruan prej tij dhe e çuan në atë shtëpi ku, 14 ditë më vonë, vdiq”, deklaroi Ferrari.
Prokurori pretendoi se në banesën ku qëndronte Maradona mungonin edhe elementët bazë të emergjencës mjekësore.
“Nuk kishte doreza, garza, serum, kuti të ndihmës së shpejtë, defibrilator, ambulancë apo asgjë nga ato që kishin premtuar. Ishte boshllëk absolut, ajo shtëpi nuk kishte asgjë”, u shpreh ai.
Sipas Ferrarit, komisioni mjekësor ndërdisiplinor arriti në përfundimin se Maradona nuk ishte një person i shëndetshëm që ndërroi jetë papritur, por një pacient me një kompleksitet shumë të rëndë mjekësor.
Një nga përfundimet kryesore të ekspertizës, sipas prokurorisë, ishte se vdekja mund të ishte shmangur dhe se kujdesi mjekësor që iu ofrua ishte i papërshtatshëm.
Ferrari e cilësoi ekipin si një “grup amatorësh” që, sipas tij, kishte harruar në çdo moment se po merrej me një pacient vulnerabël dhe me gjendje komplekse shëndetësore.
Top Channel