Pato rrëfen vitet te Milani/ Nga ëndrra në San Siro te dëmtimet që i ndryshuan karrierën

07/10/2026 16:17

Alexandre Pato mbetet një nga emrat që shoqërohet me një nga dilemat më të mëdha të futbollit modern: “Po sikur të mos ishin dëmtimet?”.

Sulmuesi brazilian mbërriti te Milani në vitin 2007 si një talent i jashtëzakonshëm dhe për disa sezone tregoi se kishte gjithçka për t’u shndërruar në një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.

Pato veshi fanellën kuqezi deri në vitin 2013, kur u largua drejt Corinthians. Gjatë aventurës së tij në Itali, ai realizoi gola spektakolarë, fitoi trofe dhe dhuroi momente që mbetën gjatë në kujtesën e tifozëve të Milanit. Një prej tyre ishte goli i famshëm në Camp Nou, vetëm 24 sekonda pas nisjes së ndeshjes.

Megjithatë, karriera e tij në Milano u ndërthur vazhdimisht me probleme fizike. Dëmtimet muskulore dhe problemet në kyçe e penguan të shfaqte në vazhdimësi potencialin që kishte treguar në fillimet e karrierës.

Në një intervistë për Radio TV Serie A, Pato është rikthyer pas në kohë, duke rrëfyer emocionet e transferimit te Milani, marrëdhënien me tifozët dhe periudhën e vështirë të dëmtimeve.

Pato tregoi se zgjedhja për të kaluar te Milani ishte e lidhur edhe me ëndrrat e fëmijërisë.

“Kur luaja PlayStation, zgjidhja Milanin. Kur erdhi momenti për të vendosur, nuk u mendova dy herë. Milani sapo kishte fituar Champions League, aty ishin shtatë brazilianë dhe idhulli im ishte Ronaldo, i cili luante për kuqezinjtë”, kujtoi ai.

Braziliani zbuloi se kishte pasur kontakte edhe me Interin, por në fund zgjedhja ishte e qartë.

“Edhe Interi më kishte kontaktuar, por edhe sot mendoj se Milani ishte zgjedhja më e mirë. Luajta për një klub fitues, fitova trofe dhe pata mundësinë të luaja me shumë kampionë.”

Pato, megjithatë, iu desh të priste disa muaj për të bërë debutimin me skuadrën italiane për shkak të rregullave të regjistrimit.

“Duhej të prisja gjashtë muaj për ndeshjen time të parë. Afati i merkatos ishte mbyllur më 31 gusht dhe unë linda më 2 shtator. Nëse do të kisha lindur dy ditë më herët, do të kisha luajtur me Milanin në Botërorin e Klubeve në vitin 2007.”

Debutimi i tij me Milanin erdhi ndaj Napolit dhe ishte një natë që nuk do ta harronte.

“Ronaldo më dha dy asiste dhe më pas shënoi. Në fund u bashkova me festën. Në atë moment, m’u shfaqën para syve të gjithë muajt e pritjes. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme, sepse familja ime ishte në tribuna. Të shihja tifozët e Milanit duke festuar ishte fantastike.”

Edhe pse kaloi vite në San Siro, Pato thotë se nuk e ka përjetuar kurrë presionin e stadiumit në mënyrën që mund të mendohej.

“Të luaja në San Siro nuk më ka impresionuar kurrë. Gjithmonë kam menduar vetëm të dal në fushë, të dribloj dhe të provoj të shënoj.”

Ai foli gjithashtu me shumë emocion për marrëdhënien me tifozët kuqezi.

“Që nga dita e parë e deri më sot, ka pasur vetëm dashuri. Erdha aty shumë i ri dhe shpesh kthehem si burrë. Kur njerëzit më ndalojnë dhe më kërkojnë autograf, kjo më mbush me gëzim.”

Pikërisht dëmtimet janë pjesa më e dhimbshme e rrëfimit të Patos. Braziliani pranoi se në disa raste rikthimi i tij në fushë mund të kishte ndodhur shumë shpejt.

“Më kujtohet dëmtimi ndaj Udineses, i pari i një serie të gjatë. Kishte raste kur duhej të isha rikuperuar më qetë përpara se të rikthehesha.”

Ai solli në vëmendje edhe një dëmtim të pësuar në Barcelonë.

“Më kujtohet dëmtimi në Barcelonë, pasi kisha kaluar një javë duke u stërvitur në Amerikë dhe kisha bërë vetëm një seancë. Edhe Nesta më tha se nuk duhej të kisha luajtur.”

Pato pranoi se largimi nga Milani nuk ishte një vendim që e dëshironte në atë periudhë.

“Në atë moment nuk doja të largohesha, por më thanë se do të ishte zgjedhja e duhur. Nëse do t’i jepja një këshillë një lojtari të ri në situatën time, do t’i thoja të mos largohej. Kur largohesh nga Evropa në një moment të caktuar të karrierës, është shumë e vështirë të rikthehesh.”

Pavarësisht vështirësive dhe asaj që mund të kishte qenë ndryshe, Pato nuk shfaq keqardhje për rrugëtimin e tij.

Ai e cilëson eksperiencën në Kinë si një nga sfidat më të veçanta të karrierës, ndërsa sot e sheh të gjithë rrugëtimin me një tjetër perspektivë.

“Lëndimet më mësuan shumë. Sfida më e madhe që kam kaluar? Përvoja në Kinë, një botë tjetër me kaq shumë pasion për futbollin. Jam i lumtur me atë që kam bërë.”

Top Channel