Nga roaming falas, fuqizimi i sistemi i drejtësisë te përparimi i Shqipërisë drejt BE, të gjitha mesazhet e Ursula von der Leyen në Tiranë

30/09/2026 19:32

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar vendin ndër shtetet që po avancojnë më shumë në këtë proces. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, von der Leyen theksoi rezultatet e arritura gjatë vitit të fundit, por nënvizoi se Shqipëria duhet të vijojë me reformat dhe zbatimin e tyre të plotë.

Von der Leyen vlerësoi gjithashtu rezultatet e Shqipërisë në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së, duke bërë të ditur se vendi ka përmbushur mbi 80% të hapave të parashikuar dhe ka përfituar 213 milionë euro nga Bashkimi Evropian. Ajo përmendi edhe përfshirjen e Shqipërisë në SEPA dhe procesin për uljen e tarifave të roaming-ut.

“Është kënaqësi e madhe të rikthehem në Tiranë. Përvoja ime është e tillë që shqiptarët e mbajnë Evropën në zemër. Shqipëria është ndër vendet kryesuese në procesin tonë të integrimit.

Unë vij çdo vit për të parë ecurinë dhe, pas një viti, Shqipëria ka bërë një punë fantastike me progresin. Përparim shumë i rëndësishëm, sepse do të thotë që e shohim botën me të njëjtët sy.

Dua t’u përcjell qytetarëve shqiptarë dhe evropianë faktin që anëtarësimi i Shqipërisë nuk do të bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe BE-në.

Por vazhdoni me fokusin, sepse ka ende punë për të bërë”, tha ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian u ndal edhe te reformat që Shqipëria duhet të vijojë, duke veçuar sistemin gjyqësor dhe mbrojtjen e mjedisit. Sipas saj, rëndësi ka jo vetëm miratimi i reformave, por edhe zbatimi i tyre në mënyrë që të sjellin ndryshime konkrete për qytetarët.

“Nevojiten reformat e mëtejshme në kapitujt e hapur, kuadri gjyqësor, mbrojtja e mjedisit, natyra marramendëse e Shqipërisë. Reformat të zbatohen tërësisht, është e rëndësishme që ato të sjellin ndryshime te qytetarët e Shqipërisë.

Mesazhi im i tretë ka të bëjë me rezultatet tona të rritjes. Cilat janë parimet?

Ne sjellim investime të BE-së dhe, teksa ju bëheni gati për t’u futur në BE, ju miratoni dhe merrni reformat që ju nevojiten, që kompanitë të jenë konkurruese në tregun evropian.

Shqipëria po ecën shumë mirë sa i përket Planit të Rritjes. Keni përmbushur mbi 80% të hapave, keni marrë 213 milionë euro nga BE-ja. Ne kemi arritur rezultate të mira. Jeni bërë pjesë e SEPA-s.

Po tentojmë uljen e tarifave të roaming-ut. Kjo është një mundësi që njerëzit të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Unë do të rikthehem në Shqipëri kur të arrijmë roaming-un falas, ju premtoj.

Mesazhi im i fundit është që ju po përgatiteni këtu, por edhe ne përgatitemi”, tha ajo.

Von der Leyen theksoi gjithashtu se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të bazohet në merita. Ajo tha se për vendet që kanë bërë përparime më të mëdha do të përcaktohen udhërrëfyes konkretë, të cilët do të përcaktojnë hapat që duhen ndjekur në rrugën drejt anëtarësimit.

“Do të shqyrtojmë institucionet, politikat dhe financat për të parë nëse jemi gati për të pritur anëtarë të rinj. Do të caktojmë edhe udhërrëfyesit që vlerat e BE-së dhe sundimi i ligjit të vazhdojnë edhe pas anëtarësimit.

Anëtarësimi do të bazohet në merita, por nuk do të thotë se është proces i ngadaltë. Ne do të përcaktojmë udhërrëfyes për vendet që kanë bërë përparime më të mëdha dhe Shqipëria është një prej tyre.

Këta udhërrëfyes do ta shndërrojnë rrugën drejt anëtarësimit në hapa konkretë, se çfarë duhet të bëni dhe çfarë mbetet më pas.

Nesër do të vizitojmë shkollën ‘Emin Duraku’. Kur u goditët nga tërmeti në vitin 2019, ju thashë se Evropa do të qëndrojë pranë jush. Ne e bëmë këtë.

Me anën e programit BE për shkollat janë rindërtuar 63 shkolla, si ‘Emin Duraku’, që presin dhe edukojnë një brez të ri evropianësh”, tha mes të tjerash von der Leyen.

Top Channel