Rama në Elbasan për hartën e re territoriale: Bashkitë që bashkohen do jenë qytete dhe jo njësi administrative, nuk shkurtohet asnjë shërbim

13/09/2026 22:33

Kryeministri Rama vijoi sot në Elbasan takimet informuese në kuadër të konsultimit publik për reformën administrative territoriale, duke u ndalur te ndikimi i riorganizimit të njësive vendore në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Kryeministri u shpreh se nga shkrirja mes Elbasanit, Cërrikut dhe Belshit dhe Librazhdit me Prrenjasin, asnjë nga shërbimet ekzistuese nuk do të shkurtohet, por do të krijohen premisa të reja për për zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm.

“Sot në Elbasan, ku Reforma Administrative-Territoriale do të sjellë bashkimet Elbasan – Cërrik – Belsh dhe Librazhd – Prrenjas, duke krijuar premisa të reja për zhvillim ekonomik e social të qëndrueshëm”, tha Rama.

Fjala e plotë: 

Ajo që unë mund t’ju them është që shqetësimet ose kundërshtitë janë njësoj simetrike me shqetësimet dhe kundërshtitë e vitit 2015, kur u bë reforma e parë administrative-territoriale.

Njësoj.

Të njëjtat frikëra, të njëjtat dyshime, ngurrime, dhe sot, tani është ndryshimi që bashkohen bashki, nuk bashkohen komuna – bashki.

Koha tregoi që ishin frikëra dhe dyshime të pabazuara, sepse të gjitha komunat përfituan më shumë nga bashkimi.

Të gjitha shifrat tregojnë që investimet u rritën dhe, në tërësi, shërbimet u përmirësuan.

Parafytyrimi që këto bashki ekzistuese do të kthehen si njësi administrative që keni aktualisht është i gabuar, sepse nuk do të bëhen njësi administrative.

Pra, në qoftë se Prrenjasi do të bashkohet me Librazhdin, Prrenjasi nuk do të jetë njësi administrative e Bashkisë së Librazhdit.

Ashtu sikundër Cërriku dhe Belshi, duke u bashkuar me Elbasanin, nuk do të jenë njësi administrative të Elbasanit. Për këtë arsye është krijuar qyteti si njësi administrimi.

Pra, është bashkia, është qyteti, pastaj janë njësitë administrative. Dhe faktikisht raporti midis qytetit dhe njësive përkatëse administrative do të ruhet në funksion të mirëkoordinimit të shërbimeve, etj., etj.

Asnjë nga shërbimet ekzistuese nuk do të shkurtohet.

Faktikisht, bashkitë ekzistuese kryejnë shumë më pak funksione sesa duhet të kryejnë dhe qëllimi është që të rritet kapaciteti për të kryer më shumë funksione.

Top Channel